Supremja konstaton se s’ka shkelje në rastin e të dënuarve për mashtrim, shpëlarje parash dhe falsifikim të dokumentit zyrtar

Gjykata-Supreme-konstaton-shkelje-në-favor-të-të-pandehurit-S.M
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Janar 14, 2020

Prishtinë – Gjykata Supreme i ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e të dënuarve për mashtrim, shpëlarje parash dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, Florim Zekaj, dhe Labinot Ademi.

Në këtë rast, të dënuar janë edhe Afrim Haxha dhe Ali Nurqaj, mirëpo ata nuk i janë drejtuar Supremes, me kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë.

Sa u përket dy të akuzuarve Zekaj e Ademi, Supremja në aktgjykimin e saj më 22 tetor 2019, ka vlerësuar se në aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, nuk ka shkelje të dispozitave procedurale, e as shkelje të ligjit penal, siç pretendonin në kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë, mbrojtësi i Ademit, avokati Xhafer Maliqi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Zekaj, avokati Ruzhdi Maloku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të dy avokatët, kishin kërkuar nga Supremja që t’i anulojë aktgjykimet e instancave tjera të gjyqësorit dhe lëndën të kthej në rigjykim në shkallë të parë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, në shkurt të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykim, me të cilin i akuzuari Zekaj, për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, ishte dënuar me burg në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, për dy vepra penale “mashtrim”, ishte dënuar me nga 1 vit burg dhe me nga 3,000 euro gjobë, si dhe për shpëlarje të parave, ishte dënuar me 1 vit burg dhe 6,000 euro gjobë.

Dënimi unik që ishte shqiptuar ndaj tij nga gjykata kishte qenë 4 vjet e 10 muaj burgim si dhe 12,000 euro gjobë. Ndërkaq, Zekaj ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të ndihmës në falsifikimin e dokumenteve.

Gjithashtu, ai ishte obliguar të kompensojë të dëmtuarin Avdi Fekaj, në shumë prej 172,944.00 euro, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në llogarinë e të dëmtuarit Avdi Fekaj. Florim Zekaj, ishte obliguar nga gjykata të kompensojë edhe palën tjetër të dëmtuar, Bekim Maliqin, i cili asnjëherë nuk ishte paraqitur gjatë gjykimit, në shumën prej 61.944.00 euro.

Përveç dënimeve të lartcekura, gjykata, ndaj të pandehurit Florim Zekaj, kishte shqiptuar dënimin plotësues, me ç’rast atij ishte urdhëruar konfiskimi i dy automjeteve dhe gjithashtu gjykata kishte urdhëruar që t’i sekuestrohet shuma e parave që gjendet në llogari të tij, në vlerë prej 11,970 euro.

Këto para, si dhe paratë nga shitja e automjeteve, sipas aktgjykimit të shpallur, do të kalojnë në llogarinë e të dëmtuarit Avni Fekaj, e që do të zbriten në shumën e kompensimit të dëmit.

Ndaj të akuzuarit tjetër në këtë rast, Labinot Ademit, gjykata kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 2 muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000 euro, pasi e kishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit.

Të akuzuarin tjetër, Afrim Haxha, gjykata e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 27 mars 2013 deri më 8 nëntor 2013.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Ali Nurqaj, për veprën “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, gjykata kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti, ndërsa për mashtrim, dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti dhe dënim me gjobë prej 500 euro.

Edhe ndaj të akuzuarit Ali Nurqaj, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 1 vit e 8 muaj burgim, i cili dënim është i kushtëzuar, nëse për 5 vite nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro, të cilin duhet ta paguajë brenda afatit prej 3 muajve. Ai gjithashtu është obliguar ta kompensojë të dëmtuarin Avdi Fekaj, në shumë prej 1000 euro.

Gjykata po ashtu ka përcaktuar që të anulohen të gjitha dokumentet e lëshuara në emër të Avdi Fekaj, e me fotografi të Ali Nurqaj, siç janë letërnjoftimi i Kosovës dhe ai i Serbisë.

Këtë aktgjykim të Themelores, e kishte vërtetuar vitin e kaluar në pjesën më të madhe edhe Gjykata e Apelit.

Kjo e fundit, i kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve së të akuzuarve Zekaj dhe Ademi, ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Haxha, Apeli e kishte refuzuar akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtar, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Ankesën e palës së dëmtuar në këtë rast, Avdi Fekaj, Apeli e kishte hudhur poshtë si të palejuar.

E pakënaqur me këto vendime, mbrojtja e të akuzuarit Ademi i ishte drejtuar Supremes me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ku ndër të tjera, pretendon se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale pasi në aktgjykimin e Themelores nuk janë të shënuar emrat e anëtarëve të trupit gjykues.

Po ashtu, mbrojtja e Ademit, pretendon se shkalla e parë nuk  ka dhënë arsye për secilën pikë të aktgjykimit, ndërsa si shkelje theksohet edhe fakti se vendimi i Supremes e cila e kishte kthyer njëherë në rivendosje këtë lëndë, palëve u ishte dorëzuar vetëm ditën e seancës së Apelit.

Më tutje, mbrojtja ka theksuar se i akuzuari është dashur që të shpallet i pafajshëm pasi që sipas provave të administruara nuk ka pasur vullnet dhe dashje direkte apo indirekte për kryerjen e veprës penale, mirëpo edhe nën supozimin se është provuar fajësia e tij, megjithatë sipas mbrojtjes, me rastin e shqiptimit të dënimit janë shkelur parimet e përgjithshme të ndëshkimit të ndihmësit sipas të cilës ndihmësit i shqiptohet dënim më i butë.

Se janë përfshirë me shumë shkelje aktgjykimet e atakuara, e ka cekur në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Zekajt, avokati Ruzhdi Maloku.

Sipas avokatit Maloku, arsyetimi i aktgjykimeve është në kundërshtim të plotë me provat dhe deklarimet e dëshmitarëve të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor ndërsa në dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë nuk janë specifikuar veprimet konkrete së të dënuarit sidomos përkitazi me pikën e parë dhe të dytë të dispozitivit të aktgjykimit.

Në kërkesën e mbrojtjes së Zekajt, pretendohet po ashtu se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e shkallës së dytë aktgjykimet e tyre i kanë marrë në kundërshtim me dispozitën e nenit 384, par.1, nënpar.1.8 të KPPK-së, pasi që të dy aktgjykimet bazohen në provë të papranueshme përkatësisht janë të bazuara në dëshminë e të dëmtuarit Bujar Maliqi.

Mirëpo, krejt këto pretendime i ka refuzuar si të pabazuara kolegji i Gjykatës së Supreme, në përbërje të gjykatësve, Nesrin Lushta, Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë nuk janë shkelur dispozitat e procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.12 lidhur me nenin 370 të KPPK-së, pasi që në arsyetimin e aktgjykimit janë paraqitur arsye për të gjitha pikat e saja, kurse fakti se në hyrje të aktgjykimit nuk janë shënuar emrat e anëtarëve të trupit gjykues paraqet një gabim të natyrës teknike dhe i cili është përmirësuar përmes aktvendimit përmirësues të datës 15.10.2018, ndërsa në procesverbalet e shqyrtimeve gjyqësore në hyrje të tyre janë konstatuar emrat dhe prezenca e anëtarëve të trupit gjykues.”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Sipas Supremes, nuk janë të bazuara pretendimet e theksuara përkitazi me kundërthëniet mes dispozitivit dhe arsyetimit të aktgjykimit përkitazi me të dënuarin Ademi, meqë në dispozitivin e dytë të aktgjykimit qartazi janë përshkruar veprimet e tij, të cilat veprime padyshim se janë të ndihmës në kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

“Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se në veprimet e të dënuarit janë manifestuar të gjitha elementet objektive dhe subjektive të ndihmës për veprën penale të mashtrimit dhe me këtë rast bazuar në të gjitha rrethanat e potencuara ka shqiptuar dënimin dhe me këtë rast gjykata e shkallës së parë nuk ka tejkaluar kompetencat ligjore për matjen e dënimit.”, thuhet në aktgjykimin e Supremes lidhur me pretendimet e mbrojtjes së Ademit.

Sa i përket të akuzuarit Zekaj, Supremja në aktgjykimin e saj thekson se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i paqartë dhe i pakuptueshëm siç pretendohet, përkundrazi, aktgjykimi i kundërshtuar sipas saj, është i qartë dhe i kuptueshëm dhe në të janë dhënë arsye përkitazi me faktet vendimtare duke u bazuar në provat e administruara gjatë shqyrtimeve gjyqësore.

Supremja i ka refuzuar edhe pretendimet se dëshmia e dëshmitarit Maliqi është provë e papranueshme, pasi sipas aktgjykimit të Supremes, gjykata e shkallës së parë në faqen 34 të aktgjykimit të saj ka paraqitur arsye përkitazi me leximin e dëshmisë së këtij dëshmitarit pasi që i njëjti fillimisht ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pas konstatimit se nuk banonte në adresën e tij përmes autoriteteve policore ishte konfirmuar fakti se gjendej në botën e jashtme.

Për më shumë, në aktgjykimin e Supremes thuhet se përveç dëshmisë së Maliqit, aktgjykimi në fjalë është bazuar edhe në provat tjera materiale dhe tre dëshmitarë tjerë të cilët e kishin mbështetur deklarimin e dëshmitarit Maliqi për pjesën e aktgjykimit që i referohet këtij të fundit.

Ndryshe, Gjykata Supreme, për këtë rast kishte vendosur edhe njëherë gjatë vitit të kaluar.

Aktgjykimin e Apelit të marr më 14 nëntor 2018, me të cilin ishte vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë, e kishte anuluar atë kohë Gjykata Supreme, për shkak se kishte konstatuar shkelje në përbërjen e kolegjit të Apelit që kishte vendosur në këtë çështje.

Sipas Supremes, një anëtar i kolegjit të Apelit që kishte vendosur në lidhje me aktgjykimin në fjalë, kishte qenë po ashtu anëtar i kolegjit në kohën kur ishte vendosur në lidhje me kërkesat e të akuzuarve për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, gjatë shqyrtimeve gjyqësore në shkallë të parë, asnjëri nga të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë, dhe ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat i kishte ngarkuar PSRK-ja.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të akuzuarit Florim Zekaj dhe Ali Nurqaj, patën pranuar të hyjnë në negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, kurse dy të akuzuarit e tjerë Labinot Ademi dhe Afrim Haxha, patën deklaruar se nuk pranojnë të diskutojnë lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, pasi kanë thënë se nuk e ndiejnë veten fajtorë.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Avni Mehmeti, mbrojtësve të të akuzuarve, Florim Zekaj dhe Ali Nurqaj, avokatëve Ruzhdi Maloku dhe Sheremet Ademi, u kishte dhënë afat prej 30 ditësh me qëllim të arritjes së marrëveshjes për pranim të fajësisë.

Përveç kësaj, i akuzuari Florim Zekaj, ishte pajtuar që në kuadër të kësaj marrëveshjeje të diskutohej edhe mundësia e kompensimit të palës së dëmtuar në shumën prej afër 200.000 eurosh.

Arritja e këtyre marrëveshjeve, nuk ishte bërë e mundur, pasi që në seancën tjetër të mbajtur më 22 janar 2018, palët u patën deklaruar se nuk kanë arritur të lidhin marrëveshje për pranim të fajësisë dhe kompensim të palës së dëmtuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të pandehurit Florim Zekaj dhe Ali Nurqaj, akuzoheshin se më 4 shtator 2010, në ekspoziturën e ‘Jugobankës’ të Serbisë në Zveçan, në bashkëkryerje, Florim Zekaj si ndërmjetësues dhe Ali Nurqaj, kinse Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kishin siguruar një letërnjoftim të Serbisë të falsifikuar në emër të Avdi Fekaj, me foto të Ali Nurqajt, duke i vënë në lajthim punëtorët e bankës, të cilët kanë besuar se dokumentet janë të vërteta dhe kanë bërë konvertimin e devizave në euro, duke ua lëshuar librezat e reja të kursimeve njërën në vlerë prej 140.165,85 euro dhe tjetrën në vlerë prej 5.218,83 euro.

Me këtë, ata janë akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”, nga neni 334 të KPK-së.

Florim Zekaj, Ali Nurqaj dhe Labinot Ademi, akuzoheshin se më 13 dhjetor 2010,  në ekspoziturën e “Jugobankës” në Vranjë të Serbisë, në bashkëkryerje dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve, e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj, pasi që me dokumente të falsifikuara kishin aplikuar për tërheqje të kursimeve të vjetra devizore.

Me këtë, janë akuzuar  në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafin 2 lidhur me nenin  23 të KPK-së.

Florim Zekaj, po ashtu akuzohej se më 14 dhjetor 2010, në Istog në ekspoziturën e “ProCredit Bank” me dashje ka bërë konvertimin e të hollave që rrjedhin nga vepra penale e “mashtrimit”, në atë mënyrë që më 13 dhjetor 2010 në ekspoziturën e “Euro Bank”, në Vranjë të Serbisë në bashkëkryerje me të pandehurin Ali Nurqajn kishin tërhequr 66.120 euro nga kursimet e vjetra devizore nga xhirollogaria e të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “shpëlarje e parave” nga neni 32 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1  të ligjit 02/L-196  për Parandalimin e Shpërndarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Ndërsa, i pandehuri Afrim Haxha, akuzohej se më 1 nëntor 2011, në Mitrovicë, ka përpiluar patentë shofer të ish-Jugosllavisë, të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që me të dhënat e dërguara nga i pandehuri Florim Zekaj, i pandehuri falsifikon patentë shoferin, kinse është lëshuar nga SUP Pejë-Kragujevc.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve ”, nga neni 332 të KPK-së /Betimipërdrejtësi