Supremja i jep të drejtë Komunës së Kamenicës përballë MASHTI-t, për reformën në arsim

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë- Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka njoftuar se vendimi i Gjykatës Supreme, i ka dhënë të drejtë reformës në arsim që ai e ka nisur në këtë Komunë.

Këtë gjë, Kastrati e bëri të ditur të mërkurën përmes  një postimi në Facebook, ku edhe e publikoi vendimin e Supremes, i cili është përpiluar më 26 gusht 2022, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në vendimin e Supremes thuhet se është refuzuar si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor që është parashtruar nga Komuna e Kamenicës kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit më 6 maj 2022.

Në arsyetimin e vendimit të Supremes thuhet se me aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës Komuna e Kamenicës dhe është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 23 mars 2022.

Tutje thuhet se kundër aktvendimit të Apelit, e paditura – Komuna e Kamenicës brenda afatit ligjor ka parashtruar në Gjykatën Supreme, kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, me të cilin konteston ligjshmërinë e të njëjtit për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

Por, Supremja vendosi se kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor është e pabazuar.

Ndryshe, lidhur me këtë vendim, Kastrati ka thënë se askush në Kosovë nuk është mbi ligjin dhe parimet e demokracisë.

“Shantazhi, kërcënimet e gjithë presioni i ushtruar mbi qytetarët e Kamenicës sfidoi një proces i cili ishte i domosdoshëm dhe i drejtë. E prapëseprapë, vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme e dëshmon që reforma në arsim duhet të vazhdojë. Ministrja e Arsimit mund ta ketë edhe mbështetjen e mbretit por askush në Kosovë nuk eshte mbi ligjin dhe parimet e demokracisë. Këta flasin për PISA por të vetmen iniciativë serioze që adresonte problemin e kualitetit në arsim tentuan ta pengojnë me çdo kusht. E ftoj Kryetarin e Komunës së Kamenicës ta zbatojë vendimin. Në të kundërtën do të detyrohem ta ndjek penalisht”, shkroi Kastrati. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë