Supremja e refuzon kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë ndaj gruas së “Sandokanit” dhe zyrtarit tjetër të MPMS-së të akuzuar për korrupsion

Raporton: Valentina SHAHINI– GRAJҪEVCI

Prishtinë – Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga prokuroria, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, më cilat Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala janë liruar nga akuza për korrupsion.

Vendimi në fjalë nga Supremja, është marrë me 14 shkurt 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 mars 2021, të akuzuarit Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, i ka liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Këtë vendim të Themelores, e kishte lënë në fuqi edhe Apeli më 19 tetor 2021.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme ka parashtruar prokurori, me propozim që këto vendime të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Prokurori ka pretenduar se vendimi i shkallës së parë dhe ai i shkallës së dytë, janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Ndaj kërkesës së prokurorisë, janë përgjigjur mbrojtësi i të akuzuarës Rexha, avokati Tahir Recaj, dhe mbrojtësi i të akuzuarit Bala, avokati Mahmut Mujaj, të cilët Supremes i kishin propozuar që të njëjtat të refuzohen si të pabazuara.

Pas shqyrtimit të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmëri të prokurorisë, Gjykata Supreme ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar.

“Gjykata Supreme këto pretendime nuk i aprovoj. Nga të gjitha shkresat e lëndës, provat të administruara në shqyrtimin gjyqësor dhe vet përmbajtja e aktgjykimit të shkallës së parë, me pa mëdyshje është vërtetuar se aplikacionet në fjalë nuk kanë qenë aplikacione për përfitimin e statusit të veteranit të luftës, por për aplikimin “në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, viktimave civile dhe kategorive tjera të përcaktuara me legjislacion”. Këto 31 aplikacione gjenden në shkresat e lëndës, janë administruar si prova dhe përmbajtja e tyre është vlerësuar në lidhje me mbrojtjet e të pandehurve dhe deklaratat e aplikuesve”, thuhet në vendim.

Tutje, në këtë vendim thuhet se vepra penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431,.par.1 të KPK, sipas aktakuzës manifestohet në atë se e pandehura S.R., drejtpërsëdrejti ka ndikuar në zyrtaren për pranimin e formularëve për aplikimin për statusin e veteranit të luftës në DFDIL të 4 aplikacioneve të cilat i ka sjellë S.P., edhe pse nuk ishin të nënshkruara nga aplikuesi.

Ndërsa, thuhet se i pandehuri K.B., ka treguar se personi i autorizuar për pranimin e tyre është zyrtarja V.B., e gjithë kjo me qëllim që këtyre personave t`iu sigurojnë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën e kompensimit që del nga ky status.

Sipas kësaj gjykate, nuk kanë qenë të bazuara pretendimet se edhe në ketë pjesë aktgjykimi nuk ka arsye ligjore ose që arsyet e dhëna janë me të meta dhe kundërthënie.

“Përmbajtja e nenin 431, par.1.të KPK është si në vijim: “kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, në mënyrë që të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar apo zyrtarit publik të huaj, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë ose burgim deri në 8 vjet”, thuhet në vendim.

Në vendimin e Supreme thuhet se në rastin konkret, të pandehurit nuk janë akuzuar për veprimet e këtilla, dhurata apo përfitimi tjetër me akuzë nuk i vihen në barë të pandehurve dhe në mungesën e këtyre elementeve që janë elemente konstitutive të kësaj vepre penale, drejt ka vepruar gjykata e shkallës së parë kur të pandehurit i ka liruar nga akuza.

Andaj, sipas Supremes, kërkesa e mbrojtjes për këto shkaqe ka qenë e pabazuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2019, e pandehura Sanije Rexha, gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”, akuzohej se në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim me të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor të vitit 2017, kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit, pa autorizim kishin marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës, ku i kanë plotësuar 31 formularët për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, formularët e plotësuar i kanë sjellë në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të luftës në shumë prej 133 mijë e 280 euro, në mënyrë të kundërligjshme.

Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Po ashtu, ata ngarkoheshin se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’ua sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

Për këtë, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë