Supremja e refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj ish-zyrtarit të Malishevës që u dënua me 3 mijë e 400 euro gjobë për korrupsion

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Gjykata Supreme e Kosovës, më 30 gusht të këtij viti, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga ish-shefi i Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku, i dënuar me 3,400 euro gjobë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Gjykata Themelore në Gjakovë në dhjetor të 2020-ës, pas rigjykimit, fillimisht e kishte dënuar Mazrekun me 6 muaj burgim, dënim i cili me pëlqimin e tij pastaj ishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë e 400 euro.

Mazreku ishte obliguar që të dëmtuarës, përkatësisht Komunës së Malishevës t’ia kompensojë edhe dëmin e shkaktuar në shumën prej 8,728.90 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë aktgjykim të themelores në janar të 2021-ës e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

E kundër këtyre dy aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i Mazrekut, avokati Emrush Kastrati.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, kolegji i përbërë nga gjykatësit Nesrin Lushta, Mejreme Memaj dhe Rasim Rasimi, kanë gjetur se kërkesa është e pabazuar.

“Duke pasur parasysh elementet e kësaj vepre penale, faktin se i dënuari në cilësinë e menaxherit të kontratës edhe pse i vetëdijshëm se kabllon elektrike nuk e kishte pranuar, e kishte nënshkruar raportin e pranimit duke vërtetuar dokument zyrtar me përmbajtje të rremë. Për këtë gjykatë pretendimet e mbrojtësit se i dënuari nuk e ka dashtë kryerjen e veprës penale janë të pabazuara, ndërsa është irelevant fakti se kush e ka përpiluar përmbajtjen e rreme, sepse për ekzistimin e kësaj vepre nuk është me rëndësi kush e ka përpiluar përmbajtjen e rremë”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të Supremes.

Ndryshe, i akuzuari Mazreku fillimisht akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mirëpo në fund të rigjykimit prokurori Ramiz Buzhala e kishte bërë rikualifikimin e veprën penale në atë të falsifikimit të dokumentit zyrtar.

Para se lënda të kthehej në rigjykim, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 20 janar të këtij viti, e kishte dënuar Mazrekun me 6 muaj burgim, i cili më pas me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumën prej 3,400 euro, dënim të cilin më pas e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit

Por që këto aktgjykime më 20 korrik 2020, i kishte prishur Gjykata Supreme dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së pandryshuar, e ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku fillimisht akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të Komunës së Malishevës.

Më këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 paragrafi 2 pika 2.1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë