Supremja e lë në fuqi dënimin me burg efektiv ndaj ish-zyrtares në “FINCA”, e dënuar për përvetësim në detyrë

Gjykata-Supreme-e1464723906415
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Prill 3, 2020

Prishtinë – Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtja e ish-zyrtares së institucionit financiar “FINCA”, Merita Shehut, duke lënë në fuqi dënimin me burg efektiv dhe gjobë të shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 15 gusht 2019, Merita Shehun e kishte shpallur fajtore për veprën penale të përvetësimit në detyrë dhe të njëjtën e kishte dënuar me 12 muaj burgim efektiv dhe 1000 euro gjobë.

Po ashtu, e akuzuara ishte obliguar nga gjykata që të dëmtuarës në këtë rast, institucionit financiar “FINCA”, t’ia kompenson shumën prej 23,977 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E pakënaqur me aktgjykimin e Themelores, mbrojtja e Shehut ishte ankuar në Apel, ku kishte pretenduar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.

Këtë ankesë të mbrojtësit së Shehut, avokatit Ndrec Dodaj, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar si të pabazuar më 5 nëntor 2019.

Kundër aktgjykimit të Themelores dhe të Apelit, avokati Dodaj kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve të tjera të dispozitave të procedurës penale të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.

Mbrojtja i kishte propozuar Gjykatës Supreme që ta aprovoj si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të anuloj aktgjykimet e kundërshtuara dhe çështjen ta kthej në gjykatën e shkallës së parë në rivendosje.

Lidhur me këtë kërkesë të mbrojtjes, ishte deklaruar edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e cila më 11 dhjetor 2019, Supremes i kishte propozuar që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë të refuzohet si e pabazuar.

Duke vendosur lidhur me këtë kërkesë të mbrojtjes, kolegji i Gjykatës Supreme në përbërje nga gjyqtarët Valdete Daka, Agim Maliqi dhe Rasim Rasimi ka vendosur që të refuzojë kërkesën e mbrojtjes.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, pretendimi i mbrojtësit të të dënuarës, është i pabazuar, ngase aktgjykimet kundër të cilave ka parashtruar kërkesë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje tjera të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, siç pretendohet.

Lidhur me pretendimet e mbrojtjes se e dënuara në fazën e hetimit nuk ka pasur mbrojtës e përveç kësaj askund nuk shihet se e njëjta ka deklaruar se nuk ka nevojë për mbrojtës, Supremja ka vlerësuar se e dënuara faktikisht ka pasur mbrojtës që në dëgjimin e parë hetimor dhe këtë e bazon në procesverbalin e 15 qershorit 2018.

“Për më tepër, duke u bazuar në procesverbalin e marrjes në pyetje të të pandehurës të datës 19.07.2018, del se prokurori i shtetit, të dënuarën e ka njoftuar përkitazi me të drejtat e saj sipas dispozitave të neneve 125 dhe 152 të KPPK-së dhe me këtë rast e njëjta ka deklaruar se i ka kuptuar të drejtat e lexuara dhe mbrojtjen do ta paraqes personalisht”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Po ashtu, sipas aktgjykimit të Supremes, duke u bazuar në kualifikimin ligjor të veprës penale bazuar në aktvendimin për fillimin e hetimeve, në rastin konkret del se nuk janë plotësuar kushtet për sigurimin e mbrojtjes obligative, ndërsa as vet e dënuara nuk ka paraqitur kërkesë për mbrojtës me shpenzime publike.

“Në rastin konkret gjykata e shkallës së parë del se ka zhvilluar një gjykim të drejtë dhe të ligjshëm dhe se gjatë shqyrtimit gjyqësor e dënuara ka qenë e përfaqësuar nga mbrojtësi sipas përzgjedhjes së saj në të gjitha fazat e procedurës penale”, thuhet në aktgjykim.

Sipas vlerësimit të Supremes, bazuar në shkresat e lëndës rezulton se e dënuara ka qenë e përfaqësuar nga mbrojtësi gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe e dënuara dhe mbrojtësi i saj rezulton se kanë pasur të drejtë që aktivisht të marrin pjesë në procedurë penale dhe për më tepër, këtë të drejtë edhe e kanë shfrytëzuar duke bërë pyetje dhe kërkuar sqarime për dëshmitarët e dëgjuar.

“Andaj, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor duhet shikuar në tërësinë e saj dhe nga kjo del se nuk qëndrojnë pretendimet e theksuara se në rastin konkret janë cenuar të drejtat e të dënuarës gjatë zhvillimit të procedurës penale meqë është zhvilluar një proces gjyqësor i rregullt dhe në pajtim të plotë me nenin 22, 30 dhe 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Konventës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut”, përfundon aktgjykimi i Gjykatës Supreme.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 29 tetor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës Merita Shehu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore prej janarit të vitit 2018, e deri më 14 qershor 2018, në cilësinë e personit zyrtar-arkëtare në institucionin mikro-financiar “Finca”, me degë në Rahovec, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar pasurinë, e cila i është besuar për shkak të detyrës.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që prej arkës ka marrë shumën e të hollave të gatshme 14.200 euro, po ashtu ajo ka përvetësuar pagesat e ratave të kredive të 40 klientëve në shumë totale prej 9.777,50 euro dhe të njëjtat pagesa nuk i ka regjistruar dhe nuk janë futur në arkë.

Me këtë, Shehu akuzohej se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë” nga neni 425 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi