S’u ftua me rregull i akuzuari, shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për tentim vjedhje të rëndë

Author

Raporton: Ermira HOXHA

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Është shtyrë gjykimi për datë të pacaktuar pasi gjykata nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, Hasbi Sekiraqa, i cili ngarkohet se bashkë me dy të tjerë më 2012 kishin tentuar të kryenin vjedhje të rëndë në një shtëpi në Prishtinë.

Sipas gjykatësit të Gjykatës Themelore në Prishtine, Eroll Gashi, gjykata nuk ka prova se Sekiraqa është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës e pranishme ishte vetëm prokurorja Nebahate Salihu.

Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtën e kësaj seance, e njëjta është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 22 prill 2013, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Hasbi Sekiraqa akuzohet se në qershor të 2012-ës në Prishtinë, në rrugën “Bajram Bahtiri” pas një marrëveshje paraprake për të vjedhur, Sekiraqa në bashkëveprim me të dyshuarit Besfort Bikliqi dhe Labinotin të cilët gjenden në arrati, kanë tentuar që të vjedhin në shtëpinë e të dëmtuarit Fehmi Krasniqi.

Në aktakuzë thuhet se, të njëjtit për të arritur deri tek shtëpia e të dëmtuarit kanë shfrytëzuar veturën e tipit “Fiat” e pastaj duke përdoruar forcën me një mjetë të përshtatshëm për të hapur dritaren e pasme të podrumit të shtëpisë, e gjatë kësaj tentative për të hyrë në shtëpi është ndezur alarmi i sigurisë, pasi që sipas aktakuzës pronari nuk ishte në shtëpi, e që të njëjtit kishin arritur të iknin nga vendi i ngjarjes.

Tutje, aktakuza thotë se i pandehuri Sekiraqa është identifikuar nga ana e policisë, ndërsa dy bashkëkryerësit tjerë gjenden në arrati.

Sipas aktakuzës e gjitha kjo tentativë është bërë me qëllim të përvetësimit të sendeve të luajtshme që vetes ti sjellin pasuri të kundërligjshme me c’rast të dëmtuarit I kanë shkatuar dëm material.

Me këto veprime, Sekiraqa akuzohet se në bashkëveprim ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë në tentativë” nga neni 253 paragrafi 1 pika 1 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet./BetmipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.