Stërzgjatet procesi gjyqësor në rastin e dallavereve në UP, sërish shtyhet seanca

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – As të enjten  nuk u mbajt shqyrtimi gjyqësor, ndaj të akuzuarve për dallavere në Universitetin e Prishtinës, ku është i përfshirë themeluesi i Organizatës studentore “Reforma” Mevludin Beqiri, kryetari i kësaj organizate – student senator në UP, Esat Balaj dhe të tjerët.

Dëshmitarët Valbona Jakupi, Besarta Hajrizi dhe Suzana Fejzullahu, që ishin paraparë të japin dëshmitë e tyre, nuk u paraqiten në gjykatë dhe si pasojë, gjyqtarja Shadije Gërguri tha se nuk kishte kushte ligjore për vazhdim të seancës.

Gjyqtarja Gërguri tha se dëshmitarja Suzana Fejzullahu, ishte kontaktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë por që e njëjta kishte thënë se nuk mund të prezantoj të enjten në seancë pasi që ishte në punë. Për dëshmitaren Valbona Jakupi u lëshua një urdhëresë për verifikim të adresës, kurse për Besarta Hajrizin, bashkëshorti i saj Shaqir Reçica, i cili është i akuzuar në këtë rast, tha se do të paraqitet në seancën e radhës.

Seancat e radhës u caktuan më 26 tetor në ora 10:00, dhe tjetra më 28 tetor në ora 09:00.

Edhe seanca e 20 shtatorit 2016 ishte shtyrë, për shkak të mungesës së prokurores Fikrije Fejzullahu dhe dy të akuzuarve Kemajl Gashi dhe AlbionHaxhijaha.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar 13 persona, ndërkaq gjykata ka konstatuar se ndaj të akuzuarit Rajan Zeneli ka arritur parashkrimi i veprës penale dhe ndaj tij është pushuar procedura.

Në këtë çështje të akuzuar janë Esat Belaj për veprat penale marrja e ryshfetit, ushtrim i ndikimit dhe keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar. Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevledun Beqiri për veprat penale ushtrim i ndikimit. Të akuzuarit Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, për veprat penale ndihmë dhe ushtrim i ndikimit. Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi për veprat penale marrje ryshfeti dhe ndihmë. Dhe të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orllati për veprën penale dhënie ryshfeti. Shumica e të akuzuarve ishin studentë senatorë në UP dhe asistentë të Fakultetit të Mjekësisë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, këto dallavere të akuzuarit i kishin bërë përgjatë viteve 2009 dhe 2012. Në përshkrimin e aktakuzës veprimet e tyre kishin të bëjnë me marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë