“Stenta 1”, ish-sekretari i MSH-së thotë se për kategorinë e buxhetit të subvencioneve s’kishte pasur nevojë të shpallet tender

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë – Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, i akuzuar për korrupsion, Gani Shabani, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, tha se për kategorinë e buxhetit të subvencioneve nuk kishte pasur nevojë të shpallet tender.

Këtë deklarim, Shabani e ka dhënë në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Stenta 1”, ku bashkë me ish-ministrinë e Shëndetësisë, Ferid Aganin, po akuzohen se kishin lidhur marrëveshje me spitale private për ofrimin e shërbimeve që nuk ofroheshin në spitale publike pa procedurë tenderuese dhe në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ligji i Prokurimit Publik neni 3, pika 2, paragrafi 2 e cek në mënyrë decidiv se cilat kategori përjashtohen nga ky Ligj i Prokurimit, që duhet shpenzimi i parasë të bëhet me modulin e aprovimeve dhe shpenzimeve. Kjo është në rregulloren 02/2009, e cila është bërë nga njësia qendrore harmonizuese e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e nënshkruar atë kohë nga ministri Shala dhe drejtori i Thesarit Lulzim Ismajli”, shtoi ai.

I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Skender Musa se çka është nënkuptuar me subvencione në Ministrinë e Shëndetësisë dhe çfarë kategorie e buxhetit ka qenë ajo, Shabani tha se subvencionet në këtë ministri ishin ndarë nga viti 2002 nga Qeveria e Kosovës, si ndihmë shtetërore për qytetarët në nevojë të cilët nuk mund të trajtohen në institucione publike shëndetësore të Republikës së Kosovës.

Ai tha se subvencionet nuk mund të shfrytëzohen për furnizim me barna dhe material harxhues, ndërsa tha se për furnizim bëhet planë – programi nga fundi i vitit, nga njësia kërkuese për nevojat, kërkesat por edhe në bazë të buxhetit që e kanë.

Tutje, Shabani ka sqaruar se në Ministrinë e Shëndetësisë ka punuar nga viti 2009, katër orë si shef i zyrës për shëndet mendor pranë Departamentit për Shërbime Shëndetësore, ndërsa më 12 janar 2012 tha se kishte filluar punën si ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm.

Sipas tij, kompetencat kryesore, si ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm, kanë qenë të zbatojë politikat e kabinetit të ministrit, të jap këshilla për kabinetin e ministrit, të menaxhoj buxhetin nëpërmjet autorizuesve të departamenteve të Ministrisë së Shëndetësisë, të menaxhoj stafin civil, të mbaj takime me sekretar dhe korrespodenca të ndryshme dhe të mbaj mbledhje javore në Qeveri.

Ndërsa, lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit ai tha se ato kanë qenë edhe vitin paraprak më 2011, të cilat kishin skaduar në fund të atij viti, e që të njëjtat sipas tij, janë vazhduar duke u konsultuar me drejtorët e departamenteve.

Më pas, avokati Musa ka kërkuar sqarime nga ai nëse kishte ndodhur që Sekretari i Përgjithshëm të kishte në posedim kalendarin Urdhër Zotimi për Pagesa (UZP), për të iniciuar shpenzimet që kërkojnë proces të prokurimit dhe si bëhet inicimi i këtyre shpenzimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, e që lidhur me këtë Shabani tha se UZP bëhet urdhëresë për pagesë, që del nga zyrtari certifikues i cili tha se aprovon urdhër pagesën e mjeteve buxhetore e që më pas tha se nënshkruhet edhe nga zyrtari zotues, administrativ, shpenzues, autorizues dhe në fund zyrtari certifikues.

I pyetur se a kishin pasur marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha spitalet private, i akuzuari Shabani dhe se me 9 apo me 11 spitale që kanë qenë të licensuara janë nënshkruar marrëveshjet të njëjtën ditë e disa të tjera më vonë.

Ai tha se të gjitha këto marrëveshje janë thirrur në udhëzimin 03/2010, i cili sipas tij, kishte qenë në fuqi në atë kohë.

Sipas tij, ka pasur raste që janë bërë pagesa edhe për pacientë që nuk kanë marrë trajtime në këto spitale por kanë marrë në spitale tjera që nuk kanë pas marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ka zgjedh vet pacienti, por pagesa në bazë të udhëzimit administrativ është bërë me çmim të shërbimit që është bërë në institucionet private brenda Kosovës”, shtoi ai.

Tutje, mbrojtësi i tij avokati Musa, ka kërkuar sqarime nga Shabani se pasi që akuzohet se kishte nënshkruar marrëveshjet në mënyrë të kundërligjshme, pa e zbatuar Ligjin për Prokurimin Publik, duke qenë i ndikuar nga ministri i shëndetësisë zotëri Agani, a kishte pasur ndikim apo ishte koordinuar në bazë të hierarkisë institucionale.

Lidhur me këtë, Shabani tha se në muajin e parë pas marrjes së mandatit ishte informuar se duhej të vazhdohen marrëveshjet e bashkëpunimit me spitalet private për shërbime që nuk ofrohen në institucione publike shëndetësore, ai si epror ishte dashur të konsultohej me ministrin i cili sipas tij i kishte thënë se është baza ligjore dhe ka mbështetjen e tij të plotë.

I pyetur se a i njeh personat Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski, i akuzuari Shabani tha se Aliun e kishte takuar dy apo tri herë në ministri, ndërsa për Petrovskin tha se e kishte parë vetëm në seancën e parë dhe nuk e njeh.

“Asnjëherë në jetën time nuk kanë qenë në zyrën time e as nuk kam qenë i ulur në ndonjë takim me ta, kjo vërteton më së miri memorandumi i zyrtarëve të hetuesisë, përgjimet, vëzhgimet, një muaj e gjysmë pas marrjes së mandatit gjerë në fund të dhjetorit të vitit 2013, ku kam si dëshmi edhe ceket se nuk ka pas asnjë bisedë apo dëshmim se ka lidhje me rastin Stenta, edhe nga 176 dëshmitarë dhe 60 të pandehur të cilat i posedon kjo gjykatë cd-jat askush nuk e përmend emrin e sekretarit të përgjithshëm në atë kohë dmth emrin tim”, tha ai.

Tutje, Shabani ka sqaruar procedurën e dërgimit të pacientëve në spitalet private, i cili tha se fillimisht procedura profesionale fillon nga klinika përkatëse që quhet konzelium i mjekëve, që përbëhet prej 3 anëtarëve të klinikës përkatëse dhe drejtori i klinikës, si dëshmi kryesore që ai trajtim nuk mund të kryhet në institucione publike shëndetësore.

Më pas, ai tha se pas konzeliumit shqyrtohet se a mund të trajtohet rasti dhe a është emergjent apo jo emergjent e pastaj dokumentacioni shkon në zyre për trajtim në të cilën tha se punon zyrtari për mbështetje teknike.

Sipas tij, komisioni mjekësor dhe Bordi ekzekutiv janë trupa administrativ jashtë Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë vepruar në ministri me zyrtarin mbështetës për trajtim jashtë orarit të punës.

I pyetur nga avokati Musa, se kush ka qenë kompetent për zbatimin e udhëzimit administrativ nr. 2/2012 dhe nenit 4 dhe 9 të këtij udhëzimi, Shabani tha se me themelimin e Bordit ekzekutiv lëshohet vendimi për implementimin e programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike i cili përbehet nga 5 anëtar dhe zyrtarit teknik mbështetës e që sipas nenit 4, tha se Bordi ekzekutiv lëshon vendim, aprovon ose refuzon vlerësimin e komisionit mjekësor dhe pastaj lënda kalon nëpër procedura administrative.

“Sekretari i përgjithshëm ose ministri sipas udhëzimit administrativ 2/2012 dhe 10/2013 miraton vendimin e bordit, nuk lejon që të ngritët ose të ulet shuma e vendimit të bordit”, shtoi ai.

Ai tha se nuk kishte pasur të drejtë si sekretar të rris apo të zvogëlojë vlerën nga 70% në 100% apo anasjelltas sepse udhëzimi administrativ nuk ia lejon këtë.

Tutje, Shabani ka sqaruar se Bordi ekzekutiv në Ministrinë e Shëndetësisë ishte emëruar me vendim të ministrit sipas preambulës së ligjit dhe rregulloreve për implementimin e programit për trajtim jashtë vendit i cili tha se hyn në fuqi menjëherë ditën e nënshkrimit nga ministri.

Lidhur me rastet emergjente, Shabani tha rastet të cilat lëshohen nga konzeliumi i mjekëve të klinikës përkatëse nënshkruhet nga drejtori i klinikës dhe kur rastet janë emergjente e që jeta e pacientit është në rrezik tha se sipas udhëzimeve administrative 02/2012 dhe 10/2013, ministri lëshon flet garancion, për trajtimin e klientit në raste emergjente e që pastaj procedurat administrative vazhdojnë sipas udhëzimeve administrative.

Ai tha se kriterin se a është emergjent rasti apo jo e vlerëson konzeliumi i klinikës i cili po ashtu vlerëson se a mund të trajtohet rasti në institucionin publik shëndetësor apo jo.

Ndërsa te rastet jo emergjente, ai tha se ato raste kanë kaluar prej konzeliumit të klinikës në komisionin mjekësor prej 5 anëtarëve pastaj në 5 anëtar të bordit ekzekutiv ku më pas tha se krijohet një formular i cili nënshkruhet nga drejtori apo autorizuesi i kodit dhe zyrtari apo sekretaria e zyrës për trajtim jashtë vendit.

“Dmth sekretari është i 18-ti apo i 19-ti nënshkrim që vjen në një procedurë për trajtim”, shtoi ai.

Po ashtu, Shabani sqaroi se si sekretar i përgjithshëm nuk kishte pasur të drejtë të marrë pjesë në vlerësimin e kritereve te rastet emergjente dhe jo emergjente.

I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Musa se në bazë të marrëveshjeve që kishin lidhur me spitalet private a janë zvogëluar apo janë rritur shpenzimet e buxhetit të Kosovës, Shabani tha se janë zvogëluar shpenzimet e buxhetit dhe më e rëndësishmja sipas tij, është se janë shpëtuar edhe jetë njerëzish.

Shabani, ka mohuar të kenë pasur marrëveshje me spitale të pa licensuara, duke shtuar se edhe tani posedon dokumentacionet e spitaleve që ato kanë qenë të licensuara.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale është caktuar më 22 korrik ku do të vazhdohet me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Gani Shabani.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Ndryshe, kur janë bërë afër pesë vite që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.

Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marr njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë