“Stenta 1”, eksperti kërkon kohë që të marrë përgjigje nga MSH lidhur me pretendimet e njërit të akuzuar dhe mbrojtësit të tij

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë – Eksperti financiar Emin Blakaj, tha se do të kërkojë qasje në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), lidhur me pretendimet e avokatit Skender Musa dhe të akuzuarit Gani Shabani.

Këtë deklarim, eksperti Blakaj e ka dhënë në seancën e së martës, në rastin e njohur si “Stenta 1”, ku ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani po akuzohen për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e kaluar, mbrojtësi i të akuzuarit Gani Shabani, avokati Skender Musa kishte propozuar që të bëhet një rivlerësim i ekspertizës apo plotësim me provat të cilat i kishin dorëzuar gjatë asaj seance, duke bërë kërkesë që të pajisen edhe me raportet e auditimit të jashtëm, i cili propozim ishte aprovuar nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Kujtim Krasniqi.

Ndërsa, në seancën e sotme gjykatësi Krasniqi, ka konstatuar se është bërë rivlerësimi i ekspertizës financiare ashtu që e njëjta është dorëzuar në gjykatë dhe është pranuar  nga të gjitha palët.

Mirëpo, avokati Musa kishte vërejtje lidhur me plotësimin e ekspertizës dhe propozoi që eksperti Blakaj të dëgjohet përsëri pasi që sipas tij ai duhet të sqarojë faktin se pse marrë për bazë si akt ligjor udhëzimin administrativ nr.02/2012, ndërsa rastet janë për vitin 2013, 2014 dhe 2015 dhe që ka qenë në fuqi udhëzimi administrativ nr.10/2013.

“Sikur të ishte aplikuar udhëzimi nr.10/2013, nuk do të kishin dallim në vlerë 14 mijë e 430 euro, por do të ishte 00 sepse të gjitha rastet janë trajtuar sipas udhëzimit administrativ, andaj propozoj që eksperti të dëgjohet”, shtoi avokati Musa.

Pas kësaj, avokati filloi me parashtrimin e pyetjeve në drejtim të ekspertit Blakaj, lidhur me atë se a kishte konsultuar udhëzimin nr.10/2013 gjatë hartimit të plotësimit të ekspertizës.

Eksperti Blakaj pas marrjes në shikim të udhëzimit administrativ me nr.10/2013, ka sqaruar se neni 5 i këtij udhëzimi e sqaron vetëm fletë-garancionin dhe i obligon institucionet private të intervenojnë në raste urgjente, por shpenzimet mbulohen në bazë të udhëzimit 02/2012.

Sipas tij, ky udhëzim nuk e specifikon lartësinë e mbulimeve shpenzimeve jashtë institucioneve publike.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Musa, se a e kishte pasur në posedim Ligjin për Shëndetësi dhe nëse po a e kishte lexuar nenin 58 dhe 61 me rastin e hartimit të ekspertizës, eksperti tha se e kishte shikuar këtë ligj, mirëpo sipas tij fusha e ekspertizës ka pasur të bëjë me udhëzimin i cili është cekur në ekspertizë.

Avokati Musa ka kërkuar nga eksperti Blakaj të sqarojë se në çfarë është bazuar që është bërë pagesa tek personi B.K, i cili kishte pasur vlerën e faturës në vlerë 4 mijë euro.

Lidhur me këtë pacient, Blakaj ka thënë se të gjitha shërbimet janë kryer por mungon fletë-transferi i cili vërteton se a është kryer apo jo pagesa.

Po ashtu, Blakaj tha se ka pasur edhe dy raste të tjera të ngjashme që mungojnë fletë-transferet por që kjo sipas tij mund të vërtetohet në llogarinë e pacientit B.K ose në spitalin privat ku e kishte marrë tretmanin për t’u vërtetuar se a është realizuar kjo pagesë apo jo.

Tutje, avokati Musa ka kërkuar sqarime nga eksperti lidhur me përfituesin B.K, për të cilin tha se nuk është paguar fare nga Ministria e Shëndetësisë, J.G për të cilin tha se nuk është paguar fare sepse e kishte paguar vet sipas dosjes, A.S për të cilin tha se ka fletë-garancion nga ministri, ndërsa pagesa është në rregull pasi që e kishte paguar vet, E.M për të cilin tha se është me fletë-garancion nga ministri, por që nuk është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm Gani Shabani.

Po ashtu, i kërkoi sqarime për Q.A për të cilin tha se ka qenë me vërtetim valid deri më 1 shkurt 2014, datë që është para intervenimit kirurgjik, M.A për të cilin tha se posedon garancion nga ministri dhe të gjitha dokumentacionet dhe pagesa për të është në rregull, H.G për të cilin tha se pagesa nuk është realizuar dhe ka pasur garancion nga ministri, A.R për të cilin tha se ka garancion nga ministri por nuk është nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm dhe dokumentacioni është komplet konform udhëzimit administrativ, S.M për të cilin tha se si rast urgjent është zbatuar neni 4, par. 8, pikat 8.1, 8.2, 8.3 të udhëzimit i aprovuar nga ana e Bordit dhe për të ka dokumentacion të plotë se është në harmonit të plotë me udhëzimin administrativ dhe pagesa është bërë në mënyrë të ligjshme dhe B.Sh për të cilin tha se dokumentacioni ka qenë i rregullt në pajtim me ligjin.

“Të gjitha këto raste që janë evidentuar në këtë tabelë dhe në mendimin profesional përfundimtar i kanë të gjitha dëshmitë e nevojshme për t’u bërë pagesa dhe për t’u bërë transferi në llogaritë përkatëse të pacientit apo të personit juridik dhe nëse eksperti do t’i kishte trajtuar mirë në bazë të ligjit ne sot këtë tabelë në plotësim-ekspertizë nuk do ta kishim pasur fare, dhe në bazë të provave materiale vërtetohet se nuk është paguar asnjë cent më shumë se aq sa është paraparë nga Bordi”, tha Musa.

Ndërsa, i akuzuari Gani Shabani ka thënë se detyrat e ekspertit kanë qenë të vërtetojë nëse ka pasur tejkalim të vendimit të Bordit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga kush ka pasur dhe sa ka qenë shuma.

“Në ekspertizën e ekspertit dhe plotësim-ekspertizën gjitha pasqyrat financiare janë të njëjta me ato të aprovimit të bordit ekzekutiv, përkundrazi fletëpagesa janë me shifra më të ulëta në disa raste për arsye se klienti ka mujt me shku në një vend tjetër, ka mujt fatkeqësisht të vdes, dhe nuk ka pritë për arsye se institucioni nuk e ka marrë pagesën e shumës së mjeteve. Në të gjitha këto raste edhe në ekspertizën e 1 edhe në ekspertizën e 2, në këto 10 raste, 3 raste nuk janë të nënshkruara nga unë në cilësi të sekretarit të përgjithshëm”, tha Shabani.

Pas kësaj, eksperti Blakaj lidhur me pretendimet e avokatit Musa dhe të akuzuarit Shabani tha se nesër do të kërkojë qasje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të marrë përgjigje.

Në këto rrethana, gjykatësi Kujtim Krasniqi ka ndërprerë seancën e sotme për të vazhduar me dëgjimin e ekspertit Blakaj më 9 qershor.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Ndryshe, kur janë bërë afër pesë vite që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.

Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marr njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë