Sot në orën 13 mbahet dëgjimi publik për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Raporton: Betimi për Drejtësi

Prishtinë – Me fillim nga ora 13:00 në sallën N-506, do të mbahet dëgjim publik nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsioni, kështu kanë njoftuar nga Kuvendi i Kosovës.

Projektligji për Byronë Shtetërore, ishte shqyrtuar në seancë plenare në shkurt të këtij viti, por nuk ishte hedhur për votim, ngase grupet parlamentare opozitare kishin kërkuar që Projektligji të dërgohet për opinion nga Komisioni i Venecias.

Duke e parë këtë kërkesë të përbashkët, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk e hodhi në votim Projektligjin dhe me këtë rast vendosi që t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

Pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias , projektligji u procedua për votim nga ana e Kuvendit, ku në seancën plenare të mbajtur me 14 korrik 2022, ai kaloi me 58 vota për dhe 3 abstenime, dhe pa mbështetjen e opozitës..

IKD kishte gjetur se në disa aspekte Projektligji nuk respekton Kushtetutën e vendit dhe nuk është në linjë të plotë me standardet ndërkombëtare në këtë fushë.

“Aspektet kryesore problematike të Projektligjit në kuptimin juridik përfshijnë: Ndër autoritetet kryesore për implementim të Projektligjit, Byroja Shtetërore, nuk është e pavarur në kuptimin objektiv. Drejtori i saj, i cili është autoriteti kryesor për fillim të procedurave të verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë, zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi dhe mund të shkarkohet lehtësisht. Kështu, Drejtori i Përgjithshëm—dhe rrjedhimisht Byroja—do të jenë objektivisht të varura nga partitë politike që zotërojnë shumicën në Kuvend. Do duhej që organi drejtues i Byrosë të jetë kolegjial dhe me përbërje pluraliste”, kishte konstatuar IKD.

Sipas IKD-së, kompetencat hetuese të Byrosë për mbledhje të informacioneve nuk janë plotësisht në harmoni me Kushtetutën.

“Nuk ekziston një kontroll adekuat gjyqësor ndaj masave që Byroja mund të ndërmarrë për mbledhje të informacioneve. Njëherit, disa masa nuk duken të jenë të arsyeshme në aspektin juridik. Për zhvillimin e procedurave të konfiskimit, Projektligji përcakton kompetencën ekskluzive të divizioneve civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe (në shkallë të dytë) Gjykatën e Apelit. Do duhej që kompetencë të kenë të gjitha divizionet civile  sipas vendbanimit apo vendqëndrimit të palës në procedurë. Ose, në mënyrë alternative, të themelohej një njësi e veçantë, e specializuar për trajtimin e rasteve të konfiskimit civil”, thuhet në gjetjet e IKD-së.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, standardi i të provuarit në procedurë të konfiskimit, i nevojshëm për caktim të masës së përkohshme të sigurimit dhe konfiskim final, nuk është adekuat.

“Një gjë e tillë mund të sjellë cenim të së drejtës për gëzim paqësor të pasurisë dhe/ose cenim të drejtës për gjykim të drejtë”, thuhet më tej në disa prej gjetjeve të IKD-së .

Shumica e këtyre gjetjeve të IKD-së ishin konfirmuar edhe në Opinionin e Komisionit të Venecias. BetimipërDrejtësi

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë