Sot mbahet konferenca e shtatë mbi ecurinë e rastit të Hashim Thaçit e të tjerëve

Author

Raporton: Medina KADRIU

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Sot pritet të mbahet konferenca e shtatë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Përmes njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, konferenca në fjalë është caktuar të mbahet në ora 14:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari paraprak, Nicolas Guillou, përmes vendimit me anë të së cilit ka caktuar konferencën e shtatë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore, ka përcaktuar edhe rendin e ditës.

Gjatë kësaj konference pritet të diskutohet mbi zbulimin e provave, se çfarë përparimi ka bërë Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në zbulimin e materialit të Rregullës 102 (1) (b) deri në afatin e fundit të 27 shtatorit 2021, në veçanti, dhe në dritën e afatit të afërt, sa prej këtij materiali mbetet për t’u zbuluar dhe a ka paraqitur ZPS të gjitha kërkesat e saj për masa mbrojtëse për materialin e Rregullës 102 (1) (b).

Tutje, do të diskutohet nëse palët mund të japin një njoftim mbi përparimin e tyre drejt përfundimit të procedurës për zbulimin e materialit të Rregullës 102 (3).

“Veçanërisht nëse Mbrojtja ka kërkuar ose do të kërkojë që materiali i Rregullës 102 (3) të zbulohet, bazuar në Njoftimi ekzistues, deri më 24 shtator 2021, dhe nëse Mbrojtja ka treguar ose do t’i tregojë ZPS -së artikujt për të cilat nevojiten hollësi të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, do të kërkohet përgjigje nga ZPS se a mbeten prova shfajësuese në ruajtjen, kontrollin ose njohuritë aktuale të ZPS -së që duhet t’i zbulohen Mbrojtjes, në përputhje me Rregullën 103 të Rregullave, dhe nëse ndonjë kërkesë për masa mbrojtëse për një material të tillë është e pashmangshme.

“Dhe nëse është bërë përparim në procesin e zbulimit në lidhje me materialin e Rregullës 107, dhe nëse ndonjë aplikim shtesë sipas këtij rregulli është i pashmangshëm”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, në pikat e tjera të rendit të ditës do të diskutohet për përkthimet, hetimet e ZPS-së dhe hapat e mëtutjeshëm, si dhe hetimet e mbrojtjes dhe hapat e tjerë të mbrojtjes në drejtim të hetimeve.

Ndërsa, në fund do të diskutohet për paraburgimin, se nëse Zyra e Regjistrimit mund të japë ndonjë përditësim mbi regjimin e paraburgimit, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, politikat e vizitave të mbrojtësve dhe familjes.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.