Sogojeva: Më ndryshimet që MD ka bërë për përmbaruesit, palët nuk janë të barabarta

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Avokati Fisnik Sogojeva tha se me udhëzimin e ri të Ministrisë së Drejtësisë (MD) lidhur me përmbaruesit, ka një diskrepancë të trajtimit dhe pabarazisë ndërmjet palëve në procedurë.

Sipas tij, me ndryshimin e ri që është bërë, vlerat përmbarimore të realizuara dhe shpenzimet përmbarimore të procedurës, janë të dis-harmonizuara, ngase tjetër vlerë ka në administrim të lëndës dhe tjetër vlerë ka në efikasitet.

“Kështu që, kjo ka prekë kryesisht dhe i motivon debitorët që të mbesin borxh. Përshtypja e marrëdhënieve juridike është kjo, ti vazhdo dërgoje lëndën tek përmbaruesit, mirëpo ti do të shpenzosh më shumë se unë. Debitori është ai që përfiton nga kjo, krijon komoditet dhe e shantazhon kreditorin po more dërgoje lëndën tek përmbaruesi, mirëpo në fund për vlerë 10 mijë- 15 mijë euro ti do të paguash 400-500 euro, që nënkupton praktikisht është 10% e një pune që e ka kry, e që përfundon që në fund ai është nën fitimin e tij në realizimin e borxhit të vet, kjo është ngarkesë për kreditorin dhe benifit për debitorin. Përtej kësaj, në udhëzimin e ri administrativ është një diskrepancë e madhe të trajtimit dhe pabarazisë ndërmjet palëve në procedurë. Tash kemi një trajtim diskriminues në favor të institucioneve shtetërore”, tha Sogojeva në emisionin “Tempus” në KTV.

I njëjti shtoi se me udhëzimin e ri, ka diskriminim në favor të institucioneve shtetërore, ngase të njëjtat nuk do të tarifohen.

“Në tarifën e re, parashihet që institucionet shtetërore, në këtë rast institucionet që shqiptojnë gjoba, nuk do të tarifohen për pagesë të efikasitetit, që nënkupton në qoftë se marrim institucionet komunale, Inspektoratin Komunal, Policinë, Komisionin për Miniera dhe Minerale që kanë dërgu lëndë, kemi Doganën që shqiptojnë gjoba dhe këto lëndë i çojnë tek përmbaruesi privat për inkasim të borxhit, në tarifën e re thotë që nuk paguajnë, përkundrazi thotë se tarifa e efikasitetit i ngarkohet debitorit, që nënkupton se palët atëherë nuk janë të barabarta në procedurë, atëherë kemi pabarazi të palëve, që nënkupton në favor të institucioneve shtetërore”, tha Sogojeva. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë