S’ka prova se njëri i akuzuar u ftua me rregull, shtyhet gjykimi se morën letër mbi 200 euro duke u paraqitur si punëtorë të “Infinit”
Raporton: Elmaze GËRGURI- HALITI
Prishtinë – Për shkak se gjykata nuk ka prova se i akuzuari Getoar Jusufi është ftuar me rregull, është shtyrë gjykimi në rastin ku së bashku me Shkodran Mazrekajn po akuzohen se duke u paraqitur rrejshëm si punëtorë të firmës “Infinit” kanë sjellë në lajthim firmën “Euro Print” dhe kishin marrë letër në vlerë 242 euro e 50 centë.
Për mungesën e të akuzuarit Jusufi, gjykatësja Donika Shala- Avdyli deklaroi se deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata nuk ka pranuar fletëkthesën, për të konstatuar nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, për sigurimin e prezencës së tij në seancat e radhës, gjykatësja Shala- Avdyli tha se pasi që të konstatohet se i njëjti ka pranuar ftesën, gjykata do të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.
Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimit fillestar, seanca e sotme u shty, ndërsa ajo e radhës mbetet e pacaktuar.
Ndryshe, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurorja Ajshe Ferati dhe i akuzuari Shkodran Mazrekaj.
Sipas aktakuzës së ngritur në shkurt të 2017-ës, Getoar Jusufi dhe Shkodran Mazrekaj, po akuzohen duke u prezantuar rrejshëm kanë përfituar para në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktin akuzues thuhet se në janar të 2016-ës, në Lagjen “Emshir” në Prishtinë, të akuzuarit Jusufi dhe Mazrekaj, në bashkëkryerje kanë shkuar në firmën “Euro Print” dhe kanë sjellë në lajthim personelin e firmës, me anën të fshehjes së fakteve kinse janë punëtorë të firmës “Infinit” dhe kanë porositur dhe më pas kanë marrë letër në vlerë prej 242 euro e 50 centë.
Të njëjtit personelin e firmës “Euro Print” e kanë shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së tij duke i shkaktar dëm pasuror në vlerë prej 242 euro e 50 centë.
Me këtë, Jusufi dhe Mazrekaj po akuzohen se kanë kryer veprën penale, “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Pena, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim tre muaj deri në tri vite. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.