S’ka prova se kundërpropozuesja u ftua me rregull, shtyhet gjykimi për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit

Raporton: Donjeta Ajvazi

Prishtinë- Për shkak se gjykata nuk kishte prova se kundërpropozuesja M.B., u ftua me rregull, ka dështuar të mbahet seanca dëgjimore të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Civile, në rastin ku A.B, Sh.K dhe A.M, përmes kundërpadisë kanë propozuar caktimin e masës së përkohshme të sigurimit për vërtetimin e pronësisë nga baza e trashëgimisë.

Sipas gjykatëses së rastit Rezarta Sylejmani Voca, për  kundërpropozuesen M.B nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty për 26 shtator 2022.

Palët prezente u njoftuan verbalisht lidhur me seancën e radhës, ndërsa me ftesë të rregullt do ftohet kundërpropozuesja.

Fillimisht, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, F.Ç kishte ushtruar padi kundër të paditurve I.B, N.B, S.B I.B, H.B, me anë të së cilës kishte kërkuar anulimin e vendimit mbi trashëgiminë dhe vërtetimin e së drejtës së pronësisë mbi bazën e trashëgimisë ligjore.

Mirëpo, përmes kundërpadisë së ushtruar më 17 mars 2022, kundërpaditësit A.B, Sh.K, dhe A.M, kanë propozuar caktimin e masës së përkohshme të sigurimit  për vërtetimin e pronësisë nga baza e trashëgimisë.

Ndërkaq, sipas përgjigjes në padi pretendimet e paraqitura në padinë e paditëses F.Ç janë të pabazuara, madje padia si e tillë thuhet se nuk përmban asnjë fakt relevant të besueshëm, asnjë provë të vetme e cila është e saktë mbi bazën e së cilës mund të mbështetet çfarëdo vendimi gjyqësor.

Tutje thuhet se paluajtshmëria e cila është objekt i këtij kontesti dhe i caktimit të masës së përkohshme të sigurimit, nuk është pronë e cila paraqet bazën e trashëgimisë. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë