S’ka prova se i padituri është ftuar me rregull, shtyhet seanca ku BKS po kërkon kompensim dëmi mbi 2 mijë euro

Raporton: Valdita KELMENDI

Prishtinë – Për shkak se gjykata nuk pati prova se pala e paditur Vate Gjokaj është ftuar në mënyrë të rregullt, është shtyrë seanca e së premtes në rastin ku paditësja Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) po kërkon nga i padituri Gjokaj kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në vlerë prej 2 mijë e 105 euro.

Lidhur me mungesën e të paditurit Gjokaj, gjykatësja Rrezarta Sylejmani-Voca deklaroi se gjykata nuk ka prova se i njëjti është ftuar me rregull, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, prezente në këtë seancë ishte përfaqësuesja e paditëses BKS, Orgeta Qerimi.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës përgatitore, e njëjta u shty kurse e radhës u caktua më 20 janar 2022.

Ndryshe, sipas padis të ushtruar me 27 mars 2017  paditësja Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), po kërkon nga i padituri Vate Gjokaj, kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në vlerë 2 mijë e 105 euro.

Në  padi thuhet se i padituri Gjokaj më 18 shkurt 2013 në Fushë Kosovë kishte shkaktuar aksident trafiku me automjet dhe deri tek aksidenti kishte ardhur kur automjeti, të cilin e drejtonte i padituri Gjokaj, i cili nga pakujdesia i kishte shkaktuar dëm të dëmtuarit Besnik Ramdani.

Me tutje në padi thuhet se si rezultat i aksidentit, të dëmtuarit Ramdani, BKS-ja ia ka kompensuar dëmin material dhe jomaterial të pësuar si rezultat i aksidentit.

Prandaj me anë të kësaj padie, BKS po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia të aprovohet si e bazuar dhe që të detyrohet i padituri Gjokaj t’ia kompensojë dëmin material dhe jomaterial në vlerë prej 2 mijë e 105 euro.

Sipas përgjigjes në padi, të ushtuar më 6 nëntor 2018 thuhet se i padituri BKS e kundërshton  kërkesëpadinë për arsye se nuk është vërtetuar se fajtor për shkaktimin e aksidentit të 8 shkurtit 2013 është i padituri Gjokaj.

Po ashtu, në përgjigje në padi thuhet se në padinë e paditësit BKS vetëm në mënyrë paushall është pretenduar se i padituri Gjokaj ka shkaktuar aksidentin, pa u mbështetur në prova valide.

Lidhur me këtë tutje, thuhet se në shkresat e lëndës nuk është bashkëngjitur asnjë provë e besueshme, e cila do të vërtetonte se i padituri Gjokaj kishte shkaktuar aksidentin pretenduar, por në dosje gjendet vetëm raporti policor nga i cili nuk mund të arrihet në një përfundim të qartë se si ka ardhur tek aksidenti.

Sipas përgjigjes në padi, i padituri Gjokaj  kërkon nga gjykata që padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit BKS ta refuzojë në tërësi të pabazuar, për shkak të vërtetimit të kërkesave nga pala paditëse. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë