S’ka prova se Gjina Zeqiri dhe “Global Hospital” u ftuan me rregull, shtyhet gjykimi për shpifje e fyerje

Raporton: Shqiponjë GASHI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku mjekja, Gjina Zeqiri dhe “Global Hospital”, kanë paditur gazetën “Zëri” dhe gazetarin Alban Selimi për shpifje dhe fyerje ndaj tyre.

Sipas padisë, Selimi në vitin 2015, përms publikimit të artikujve në gazetën “Zëri”, kishte thënë se tani paditësja Zeqiri i ka vënë vulën dallavereve në fushën e frytnimit të asistuar dhe procedurave IVF, duke vrarë qelizat qëllimisht dhe i kishte vrarë shpresën 14 qifteve për fëmijë.

Po ashtu sipas padisë përms publikimit të artikujve në gazeten “Zëri”, ishte thënë se trafikimi me qeliza dhe dallaveret me procesin e fekondimit artificial e kanë gjenezën në klinikën kosovare “Global Hospital”.

Fillimisht gjykatësja Ilire Vitija ka njoftuar se nuk ka prova se paditësit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Ajo tha se në shkresat e lëndës gjinden fletëdergesat me të cilat është tentuar të ftohen paditësit për seancën e sotme mirëpo siç tha ajo ftesat ishte pranuar nga avokati Valon Hasani për të cilin tha se në shkresat e lëndës nuk ka autorizim nga i njëjti për përfaqësimin e paditësve.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme është shtyrë për datën 21 shkurt 2022, ora 9:00.

Në seancën e së enjtes për të paditurit ka qenë prezent avokatja Iliriana Osmani-Serreqi.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 19 nëntor 2015, e paditura gazeta “Zëri” dhe I padituri Alban Selimi i cili është gazetar i kësaj gazete kishin publikuar artikuj të ndryshëm shpifës ndaj paditësve Gjina Zeqiri dhe spitali “Global Hospital”.

Në padi thuhet se paditësja Zeqiri është gjinekologe me profesion dhe ka shumë përvojë të gjatë në këtë lëmi, veçanërisht në lëmin e fertilizimit in vitro (IVF), ku këtë lëmi thuhet se e ka ushtruar në spitalin “Global Hospital” Sh.p.k.

Tutje, në padi janë cekur disa artikuj siç janë ai i datës 20 maj 2015 i shkruar nga i padituri Selimi ku thuhet se “ trafikimi me qelizat vezë, me spermë, si dhe dallaveret me procesin e fekondimit artificial kanë gjenezën në klinikën kosovare “Global Hospital”, e mbyllur në fund të vitit të kaluar pas ndërhyrjes së Prokurorisë dhe Inspektoratit Shëndetësor”.

Në padi thuhet se nga raporti i Komisionit për Frytimin e Asistuar Mjekësor (KFAM) i hartuar nga një komision ekspertësh, ku thuhet se e ka siguruar gazeta “Zëri”, sqaron se është pikërisht “Global Hospital” më pronare gjinekologen e arratisur Gjina Zeqiri, që i ka vënë vulën dallavereve në fushën e frytnimit të asistuar dhe procedurave të IVF-së.

Bazuar në padi të paditurit kishin publikuar edhe artikullin “Asgjësuan qelizat duke ndërprerë rrymën”, artikullin e 21 majit 2015 ku thuhet se “Gjina Zeqiri nga arratia manipulonte pacientët”, artikullin “KFAM: Në “Global Hospital” nuk është respektuar asnjë kriter shëndetësor”, artikullin e 16 janarit të vitit 2015 “14 çifteve iu vranë shpresat dhe fëmijët” dhe “qelizat u “vranë” qëllimisht”.

Paditësit padinë e tyre e kanë mbështetur në Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes konkretisht në nenin 3, 4 dhe 6 të këtij ligji.

Mbi këtë bazë, paditësit kanë kërkuar nga gjykata që të detyrohen gazeta “Zëri” dhe Alban Selimi që në mënyrë solidare atyre ti kompensojnë dëmin material dhe jo material në shumën e cila do të përcaktohet me ekspertizë si dhe të detyrohen të njëjtit që përmes mediave të shkruara të tërheqin shkrimet që përmbajnë shpifje dhe fyerje dhe të premtojnë se këto veprime nuk do të përsëriten në të ardhmen si dhe ti paguajnë shpenzimet e procedurës dhe përfaqësimit.

Në anën tjetër, në përgjigjen në padi të dhënë më 27 shkurt 2019 të paditurit e kanë kontestuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësve me arsyetimin se në padi nuk mund të konstatohet nëse padia është paraqitur nga personi i autorizuar dhe se padia në emër të paditësit të dytë “Global Hospital” nuk është nënshkruar fare.

Tutje, në përgjigjen në padi thuhet se shkrimet janë deklarime të materialit të dhënë për informim të publikut nga çdo organ që kryen funksione qeveritare ose statusore, në rrethanat e rastit të KFAM dhe se paraqesin një raportim të drejtë dhe të saktë të materialit të përmbajtur në paragrafin 9 pika h), të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Gjithashtu në përgjigjen në padi thuhet se shkrimi në gazetë është i interesit publik dhe se kur ka pretendime për shpifje dhe fyerje me një çështje të interesit publik, mund të ketë përgjegjësi vetëm nëse autori e ka ditur se informacioni ka qenë i rrejshëm dhe se paditësit nuk e kanë bërë të besueshëm pavërtetësinë e shkrimeve të publikuara./BetimipërDrejtësi.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë