S’ka prova se e paditura u ftua me rregull, shtyhet gjykimi për anulimin e vendimit të ATK-së

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Për shkak se gjykata nuk ka prova se e paditura është ftuar me rregull, ka dështuar të mbahet gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi “N.SH Medianami” po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me të cilin kompania e tij ishte ngarkuar me tatim shtesë

Shkak për mos mbajtjen e seancës ishte mosverifikimi nëse ftesa i është dërguar në mënyrë të rregullt të palës së paditur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana gjykatësi i çështjes, Fisnik Nuli, e ndërpreu seancën dhe e shtyu atë për 17 nëntor 2021.

Ndryshe, prezent në këtë seancë ishte përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, avokat Jeton Maqedonsi.

Sipas padisë së ushtruar më 5 korrik 2021, subjekti juridk-“N.SH Medianami”, ka paditur Administratës Tatimore të Kosovës lidhur me vendimin e lëshuar nga ky organ, me të cilin paditësi është obliguar në tatim shtesë.

Me padi, paditësi pretendon se vendimi përmban shkelje, duke mos prezantuar gjendjen reale dhe në këtë mënyrë është ngarkuar me barrë tatimore, e cila nuk prezanton gjendjen reale të obligimeve dhe në këtë mënyrë e pamundëson ushtrimin e aktiviteteve të biznesit në të ardhmen.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Departamenti i Ankesave ka vlerësuar se pretendimet e tatimpaguesit në ankesë dhe gjatë seancës dëgjimore nuk paraqesin argumente të mjaftueshme dhe esenciale për të ndryshuar Njoftim Vlerësimet e tatimit shtesë të caktuara me kontroll. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë