S’ka kuorum, Kuvendi nuk e votoi në parim Projektligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Pishtinë- Në mungesë të kuorumit, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën plenare të sē premtes, nuk e kanë votuar në lexim të parë Projektligjin nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Nga 63 deputetët e pranishëm në seancë, në procesin e votimit morën pjesë vetëm 53, ku 22 votuan për, 31 abstenuan dhe asnjë nuk ishte kundër. Në këtë mënyrë, Projektligji nuk kaloi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë seancës, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, kërkoi aprovimin e këtij Projektligji, duke thënë se largohet neni diskriminues që parasheh që secili person që shkon në pension duhet ta këtë përmbushur normën e 15 viteve.

“Kemi rastin kur për një javë pa e përmbushur atë normë të vjetëve janë pensionuar dhe nuk kanë pasur të drejtë ta gëzojnë pensionin kontributdhënës. Kjo nismë ligjore do t’i ndihmojë këta persona në këtë kohë të krizës ekonomike, shtoi ai.

Më pas, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tentoi që për herë të dytë ta hedhë në votim, por tanimë kishte mungesë të deputetëve për t’u zhvilluar procesi i votimit.

Projektligji në fjalë mbeti që të votohet në njërën nga seancat e ardhshme.

Në këtë seancë, nuk u votua rezoluta për grevën, e cila kur u hodh në votim mori 39 vota kundër, 22 për dhe 6 abstenime.

Në mungesë të kuorumit, po ashtu nuk u votua edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë