S’ka kuorum, dështon mbledhja e rregullt e Kuvendit të Odës së Avokatëve

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

 (I përditësuar: 15:20) Pas shumë përpjekjeve, në mungesë të kuorumit të shtunën, ka dështuar të vazhdojë mbledhja e rregullt e Kuvendit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).

Pas kthimit nga pauza u konstatua nga Kryesia e Punës se prezent në mbledhje ishin vetëm 41 delegatë. Për të pasur kuorum duhej të ishin 43 delegatë.

Kryesuesi i Kryesisë së Punës së Kuvendit, Bardh Maksuti ka konstatuar se gjatë kësaj mbledhjeje  janë vendosur dhe shqyrtuar tri pikat të rendit të ditës dhe atë aprovimi i rendit të ditës dhe i procesverbalit të Kuvendit të OAK si dhe raportimi i Kryetarit për aktivitetet e OAK për vitin 2021.

Ndërsa, sipas tij, kanë mbetur për shqyrtim propozimi i buxhetit të OAK për vitin 2022, raporti i Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2021 , raporti i Auditimit Financiar për vitin 2021 dhe çështje të ndryshme.

Andaj në këto rrethana, kryesuesi ka thënë se mbledhja shtyhet për një ditë tjetër, për shkak të mungesës së kuorumit dhe se mbledhja tjetër  e Kuvendit sipas rregullores duhet të thirret jo më pak se tre muaj për të cilën mbledhje ai tha se pjesëmarrësit do të njoftohen me kohë.

Ai ka kërkuar nga sekretaria që me rastin e dërgimit të shkresave të reja për mbledhje, të shënohet vërejtje e secilit delegatë se mos përgjigjja në ftesë konsiderohet shkelje disiplinore e mosrespektimit të dispozitave ligjore.

Poashtu, kryesuesi Maksuti ka kërkuar nga ana e organeve  kompetente të Odës që menjëherë pa vonesë të reagojnë për hirë  të informimit të drejtë të publikut për raportimet e mediave  për mbledhjen e sotme..

Në fund, kryetari i OAK, Behar Ejupi, ka premtuar se prej buxhetit personal për vitin 2023 do t’ju paguajë anëtarësimin gjithë grave avokate që vuajnë nga kanceri.

:Unë për të gjitha avokatet të cila vuajnë nga sëmundja e kancerit, për vitin 2023, nga buxheti im personal, do të ua paguaj anëtarësimin. Besoj dhe shpresoj, unë e lus Zotin që të kemi fat për shkak të shëndetit, por të jetë vlera 10 mijë, 20 mijë, 30 mijë, po e them publikisht për vitin 2023 sado që të jetë vlera e pagesës për anëtarësime. Këtë do ta bëj për të ju tregu të gjithëve që Behar Ejupi së bashku me miqtë që i ka dhe kolegët, që i ka për asnjë çmim, asnjë vlerë dhe asnjë pagesë nuk rri si kryetar për shkak të punës së shumtë që e kam në zyre por po për shkak të misionit nuk ka kosto që e paguan. Unë besoj shumë që atë besim që ju më keni dhënë kom me çu dej në momentin e fundit deri në frymën e fundit”, ka thënë Ejupi./BetimipërDrejtësi

_________________________________________________________

Kryetari i OAK-ut: Problemi nuk është te unë, por te disa që po kanë dëshirë të ulën në pozitën time

 (I përditësuar: 13:24) Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të OAK-ut, ka thënë se problemi nuk është te kryetari aktual i Odës por te disa që po dëshirojnë të ulen në pozitën e tij,

“Si kryetar më duhet të jem i kujdesshëm për shkak se kemi përgjegjësinë e 1 mijë e 226 avokatëve. Nuk është problem te kryetari po është problemi te egoja e disa, të cilët vërtetë kanë dëshirë që të jenë ulur në pozitën time”, ka thënë Ejupi, para delegatëve në Kuvendin e OAK-ut.

Një deklarim të tillë, Ejupi e ka dhënë pasi që është konstatuar se nuk është përmbushur kuorumi prej 43 delegatëve për vazhdimin e mbledhjes.

Ai ka thënë se pas pushimit të drekës do të vijnë edhe dy delegatë të tjerë që të përmbushët edhe ky kuorum dhe të vazhdohet me pikat e rendit të ditës.

Paraprakisht disa nga delegatët kanë dhënë propozimet e tyre, ku si propozim pa pasur ndërprerjen e mbledhjes. Njëri nga ta ka propozuar për dhënien e mëditjeve për t’i stimuluar delegatët për ardhjen e tyre në këtë mbledhje, e cila është duartrokitur, mirëpo nga disa është kundërshtuar kjo duke shtuar se është nder e privilegj marrja pjesë në këtë mbledhje.

___________________________________________________________

Lëshon sallën kryetari i Degës së OAK-ut në Prishtinë, thotë se nuk ka kuorum

 (I përditësuar: 12:29) Kryetari i Degës së Prishtinës të OAK-ut, Nasuf Hasani e ka lëshuar sallën kur është ftuar kryetari i OAK-ut, Behar Ejupi, për të raportuar për punën gjatë vitit 2021.

Nasufi ka thënë se pa pjesëmarrjen e tij nuk ka kuorum në mbledhjen vjetore të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Mirëpo pasi kryetari Ejupi ka marrë konfirmimin nga kryesuesi Maksuti se ka kuorum,  ka vazhduar me raportim për  punën gjatë vitit 2021 të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Ndërsa, më pas është kërkuar nga kryesuesi Maksuti që të numërohen delegatët prezentë në mënyrë që të shikohet nëse ka kuorum për vazhdim, apo siç tha ai, në të kundërtën do të ndërpritet mbledhja.

I njëjti ka kërkuar dhe lutur delegatët që të mos hyjnë e dalin nga salla gjatë kësaj mbledhjeje./BetimipërDrejtësi

_________________________________________________________

Nis Kuvendi i OAK-ut, Dega e Prishtinës me vërejtje për rendin e ditës

 (I përditësuar: 11:54)Ka nisur mbledhja e Kuvendit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) me përplasje fjalësh mes Kryetarit të Degës së Prishtinës dhe kryesuesit të Kryesisë së Punës.

Mbledhja e rregullt ka nisur me përplasje fjalës mes Nasuf Hasanit, kryetar i Degës së OAK në Prishtinë dhe  Bardh Maksutit, i cili është kryesues i Kryesisë së Punës së Kuvendit.

Pas leximit të pikave të rendit të ditës nga kryesuesi Maksuti, kryetari i OAK të Prishtinës Nasuf Hasani ka pasur vërejtje për pikën e katërt të rendit të ditës përkatësisht për raportimin e kryetarit për aktivitetet e OAK-ut gjatë vitit 2021.

Sipas Hasanit, ky raport nuk është i Këshillit Drejtues por vetëm i Kryetarit të OAK-ut.

Ai ka kërkuar që kjo pikë e rendit të hiqet.

“Nuk ka pasur asnjëherë diskutim sa i përket raportit njëvjeçar, i cili do të prezantohet në Kuvendin e Përgjithshëm. Kështu që të keni kujdes sepse kjo pikë e nuk do të kalojë. Kjo pikë duhet m’u hek prej pikave të rendit të ditës. Duhet m’u hek”, ka thënë Hasani.

Pas këtij propozimi të Hasanit, Kryesuesi Maksuti ka propozuar të futet në votim, mirëpo Kryetari i Degës së OAK të Prishtinës ka kundërshtuar.

“Mos um shti me eskalu situatën. Është e kundërligjshme, a po kupton”, ka reaguar Hasani.

Paraprakisht në Kryesinë e Punës së Kuvendit të OAK-së janë zgjedhur këta anëtarë: Bardh Maksuti, Fatmire Braha, Avni Leci dhe Fatbardha Elezkurtaj.

___________________________________________________________________

Pas pak pritet të mbahet mbledhja e rregullt e Kuvendit Vjetor të Odës së Avokatëve të Kosovës

Prishtinë – Oda e Avokatëve të Kosovës(OAK) pas pak pritet që të mbaj mbledhjen e rregullt të Kuvendit Vjetor.

Gjatë kësaj mbledhje pritet që si pika të rendit të ditës të diskutohet për Aktivitetet e OAK gjatë vitit 2021, shqyrtimin e propozim buxhetit të OAK për vitin 2022, raportin e Këshillit mbikëqyrës të OAK-së dhe raportin e auditmit financiar për vitin 2021, si dhe çështje tjera./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë