Sipas policisë dhe inspektoratit, në Gjilan po respektohen me përpikmëri masat për mbrojtje nga virusi Covid-19

67588108_2409499286040844_1272129838030782464_o
Author

Raporton: Teuta Gashi

Mars 23, 2020

Gjilan – Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se deri më tani nuk ka pasur asnjë shkelje nga qytetarët, sa i përket moszbatimit të masave të vendosura nga qeveria për mbrojtje nga koronavirusi.

I njëjti ka deklaruar se vigjilenca dhe kujdesi i autoritetit të policisë është i shtuar dhe se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve.

Tutje, Hashani ka pohuar se rritja e intensitetit të punës është bërë edhe gjatë ditëve të vikendit dhe se fatmirësisht nuk kanë rezultuar me ndonjë kundërligjshmëri të shkaktuar në ambientin e jashtëm.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me drejtorin e insepktoratit të Komunës së Gjilanit, Nevzad Rushitin, i cili ka bërë të ditur se të gjitha bizneset e vogla, lokalet, kafiteritë si dhe qendrat tregtare për shkak të gjendjes ekzistuese janë mbyllur dhe nuk ka pasur ndonjë rast të shkeljes së masave tashmë të vendosura.

Ai tutje ka thënë se të gjitha bizneset private do të qëndrojnë të mbyllura deri në tejkalimin e gjendjes ekzistuese, si dhe deri në vendimin tjetër të ndërmarrë nga ana e qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Betimi për Drejtësi” gjithashtu ka kontaktuar me zëdhënësin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra, i cili pohoi se në këtë gjykatë gjatë këtyre ditëve nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore për caktimin e masës së paraburgimit ose masave të tjera, lidhur me moszbatimin e vendimit të qeverisë për mbrojtje nga virusi Covid-19. /BetimipërDrejtësi