Shumica nga 71 seancat e caktuara nuk u mbajtën në Gjykatën e Prizrenit dhe degët e saj

Gj.th_.pz_-620x275
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Janar 10, 2019

Prizren – Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, krahas të mërkurës, edhe të enjten ka dështuar një numër i madh i seancave gjyqësore, për shkak të bojkotimit të përgjithshëm të punës së avokatëve mbrojtës, të cilët e kanë përkrahur vendimin e këshillit drejtues të OAK-së, për të mos prezantuar nëpër seanca gjyqësore.

Një gjë të tillë, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Afërdita Kicaj.

Ajo ka thënë se për ditën e enjte, në Gjykatën Themelore në Prizren, si dhe degët e saj në Dragash e Suharekë, kanë qenë të caktuara 71 seanca gjyqësore, të cilat sipas zyrtares Kicaj, si shkak i bojkotit të punës së avokatëve, shumica prej tyre nuk janë mbajtur.

Ndër të tjera, ajo tha se janë mbajtur vetëm pak seanca në Departamentin e Përgjithshëm ku palët nuk kanë pasur avokatë, si dhe sipas saj janë mbajtur edhe seancat e paraburgimit.

Shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.

Ndryshe, OAK-u ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e KGJK-së, bojkoti i tyre do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.