Shukri Buja, Rrustem Berisha dhe Ahmet Daku “injorojnë” pyetjet e prokurorisë në rastin e “Veteranëve”

20201015_092753
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Tetor 15, 2020

Prishtinë – Për të tretën ditë me radhë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin “Veteranët”, në të cilat seanca të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

Në këtë rast, për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, janë akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë së enjtes, ish-kryetari i komunës së Lipjanit Shukri Buja, ish-Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe përfaqësuesi i zonës së Karadakut Ahmet Daku edhe pse kanë dhënë mbrojtjen e tyre me deklarim, ata nuk i janë përgjigjur vetëm pyetjeve të prokurorisë.

“Nuk i përgjigjëm pyetjeve të prokurorisë dhe mund të bëjnë pyetje kot”, ishte deklarimi i Bujës.

Buja, po ashtu shtoi se ai nuk i është përgjigjur edhe ish-prokurorit të rastit Elez Blakaj, pasi sipas tij, ai ishte jo-profesional.

Ngjashëm me Bujën, edhe pse ish-ministri i i Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe i akuzuari Ahmet Daku u përgjigjën në të gjitha pyetjet e mbrojtjes dhe trupit gjykues, ata u deklaruan se nuk dëshirojnë që të përgjigjën në pyetjet e prokurorëve të rastit Enver Krasniqi dhe Valdet Gashi.

Ndryshe, përpos Bujës, Berishës dhe Dakut, janë deklaruar edhe të akuzuarit Agim Çeku, Shkumbin Demalijaj dhe Sadik Halitjaha, të cilët i janë përgjigjur edhe pyetjeve të prokurorisë, ndërsa në heshtje janë mbrojtur të akuzuarit Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në mbrojtën e tij, i akuzuari Buja tha se me këtë aktakuzë, prokuroria ka bërë selektime politike, pasi si komandant i një zone, pjesë e aktakuzës është bërë vetëm ai, edhe pse në Komision kanë marrë pjesë edhe dy komandant të zonave Sami Lushtaku për zonën e Drenicës dhe Rrahman Rama për zonën e Shalës, të cilët në këtë rast kanë dhënë dëshmitë e tyre në cilësi të dëshmitarëve.

“Si anëtarë i Komisionit shtetëror e në veçanti si komandant i  zonës operative të Nerodimës, kam nënshkruar listat përfundimtare të kësaj zone, pas verifikimit nga zingjiri komandues, njëjtë siç kanë nënshkruar edhe gjashtë komandantë të tjerë të zonave operative në tërë Kosovën. Jam i vetmi nga shtatë komandantët e zonave i cili jam nën akuzë, a thua pse? Unë isha pjesë e komisionit shtetërorë, pjesë e të cilit ishin edhe dy komandant të zonave dhe asnjë vendim, asnjë votim, asnjë diskutim, nuk ndryshon nga kta dy komandant të zonave si pjesë e komisionit, Rrahman Rama dhe Sami Lushtaku, që ishin dëshmitarë të prokurorisë. Kanë qenë anëtarë deri në fund të komisionit, asnjeri e as tjetri nuk kanë dhanë dorëheqje, zotri Lushtaku ka pas një pauzë për shkak të burgut”, tha Buja.

Buja shtoi se certifikimin final të veteranëve e ka bërë Qeveria e Kosovës e jo antarët e komisionit, të cilët vetëm kishin miratuar listat përfundimtare, ai po ashtu tha se aktakuza e prokurorisë as nuk e ka ulur numrin e veteranëve luftëtarë e po ashtu nuk e ka ndalur dëmtimin e pretenduar të buxhetit.

Sipas Bujës, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar që Komisioni të bëj një vlerësim të saj se a e kanë përfunduar punën në mënyrën më të mire, pasi me vendimin e Qeverisë për përfundimin e punës së Komisionit Qeveritar, ka mbetur pa u përfunduar puna e tyre, të cilin ai e përshkruaji si shumë të vështirë pasi kanë pasur presione të shumta politike e nga veteranët me protesta, që ky proces i verifikimit të përfundoi sa më shpejtë.

Ai në fund të deklarimit të tij tha se, ai nuk ka dyshim se ka pasur manipulime në fryrje të listave të veteranëve luftëtarë pasi sipas tij të gjithë ata që kanë fituar statusin e veteranit luftëtarë e kanë merituar, por që nuk përjashtoi mundësinë që ka pasur mundësi për lëshime të vogla.

Se nuk ka pasur manipulime dhe se statusin e veteranit e kanë përfituar vetëm ata që kanë qenë pjesë e luftës u shprehen edhe i akuzuari Rrustem Berisha dhe Ahmet Daku.

Berisha, gjatë dhënies së mbrojtjes tha se nga 1,058 aplikues, pjesëtare të ish-Ministrisë së Mbrojtjes në ekzil, vetëm 101 prej tyre ishin kontestuar nga prokuroria, ndërsa 28 aplikacione ishin refuzuar.

Ndërsa, sa i përket të Brigadës 138, Berisha tha ai në cilësinë e komandantit së bashku me zingjirin komandues të saj, kishin shqyrtuar 2,043 aplikacione, nga të cilat 225 prej tyre ishin kontestuar nga prokuroria.

Berisha ka sqaruar edhe rolin e ushtarëve të cilët prokuroria i kishte përshkruar si me detyra dhe funksione të paqarta.

Sipas Berishës, këta ushtarë kishin shërbyer me armë të rënda, si topat pa dridhje, mitralozat kundërajror, murtajat, armë të cilin e kishin përdorur më shumë se një ushtarë gjatë luftës.

Berisha tha se ai si komandant i brigadës kishte ftuar zingjirin komandues për të bërë verifikimin e aplikacioneve, dhe sipas tij, nënshkrimi dhe kategorizimi i aplikacioneve ishte bërë nga ana e zingjirit komandues.

“Kur nga sekretaria është caktu se kur do të bëhet verifikimi, unë si komandant i brigadës e kam ftu zingjirin komandues në vendin ku na është caktu edhe zingjiri komandues e ka nisë verifikimin një nga një, i ka nënshkru aplikacionet dhe e kanë bërë kategorizimin e tyre, në bazë të kategorive” tha Berisha.

I akuzuari Berisha shtoi se verifikimin e aplikacioneve për pjesëtarët e ish-Ministrisë së Mbrojtjes në Ekzil e kanë bërë personat e autorizuar nga ish-Ministri Bicaj, si Ahmet Alishani, Fuad Ramiqi, Faton Gashi dhe Sami Shabani dhe komandantët e njësive.

Ai pranoi se ai nuk i kishte njohur të gjithë pjesëtarët e Brigadës 138, por se kishte nënshkruar aplikacionet e tyre, pasi fillimisht këto aplikacione i kishte nënshkruar edhe zingjiri komandues.

Sipas Berishës, aplikuesit kanë pasur dilema se cili zingjir komandues do të vendos për aplikacionin e tyre, ngase jo të gjithë luftëtarët kishin nisur luftën në Koshare, por se ata vinin nga zona të ndryshme.

“Jo të gjithë luftëtarët e kanë nisë luftën në Koshare, ata e kanë nisë në zona të ndryshme në 1998, por në 1999 janë ardhë dhe janë kyq në brigadën e 138 të Kosharës, gabimet që i ka bo aplikuesi, ka qenë e asaj se në faqen e dytë, cili zingjir komandues do të vendos, a do të jetë i brigadës 138 apo i brigadës nga ka ardhë në 1998 dhe ktu shumë ushtarë kanë bërë gabime. Sekretaria e ka pas shumë vështirë se ku t’i sistemoj kta” deklaroi Berisha.

Berisha deklaroi se sipas logjikës së prokurorisë, më së shumti është dëmtuar pjesëtarët e logjistikës, të cilët sipas tij me të drejtë ishin kategorizuar si veteranë luftëtarë, pasi kanë qenë të uniformuar e të armatosur deri në përfundim të luftës.

“Me logjikën e prokurorisë, më së shumti është dëmtuar logjistika, që ne me të drejtë i kemi kategorizu si veteranë luftëtarë, kanë të bëjnë me ushtarë që kanë qenë të uniformuar, të armatosur, deri në përfundim të luftës dhe ktu mendoj se është keqkuptuar kategorizimi pjesëtarë dhe veteranë luftëtarë. Nga ky batalion i logjistikës janë 11 të vrarë, që i bije se janë 11 dëshmorë të cilit i është njohur ky status dhe ka shumë të plagosur dhe nuk ka asnjë ushtri në botë që funksionon pa logjistikë dhe nuk ka asnjë betejë të fituar pa logjistikë” shtoi Berisha.

Sa i përket pretendimeve të prokurorisë se persona të mitur janë përfshirë në lista të veteranëve luftëtarë, Berisha tha se nuk ka qenë detyrë e tyre që ta verifikojnë moshën.

“Prokuroria i ka pretendimet se 21 ushtarë që kanë lind pas vitit 1981, se është gabim që i kemi kategorizuar si veteran luftëtar, i kemi dy raste, kur kanë lind në 1981, njeri është në janar dhe tjetri në shkurt dhe veprimtarinë luftarake e kanë fillu në prill, pra kanë qenë të moshës madhore, kryesisht i kemi 14 të lindur në 1981, katër 1982 dhe tre të lindur më 1983 por edhe gjatë procesit të verifikimit, nuk e kem pasur detyrë ta verifikojmë moshën” shtoi ai.

Sa i përket aplikacioneve të zbrazëta, Berisha pohoi se ka pasur një apo dy raste të tilla, për të cilat ai nuk ka ndonjë shpjegim, por që sipas tij, ata pjesëtarë kanë qenë ushtarë të zotë.

Berisha sqaroi se ai ishte edhe anëtar i komisionit për ankesa, i themeluar nga komisioni qeveritar, për të shqyrtuar mbi 30 mijë ankesa të parashtruara nga aplikantët dhe se trajtimi i këtyre ankesave ishte bërë nga zingjiri komandues.

Ai e ka cilësuar si të padrejtë pretendimin e prokurorisë që barelistët të mos jenë veteranë luftëtarë, me arsyetimin se detyra e tyre ka qenë tërheqja e të plagosurve nga vija e parë e frontit dhe zhvillimi i luftimeve për realizimin e kësaj detyre.

“Barelistët kanë qenë ushtarët me kondicion dhe përgatitjen fizike më të mirë dhe detyra e tyre ka qenë që të plagosurit t’i tërheqin nga vija e parë e frontit e deri te pika e kontaktit të parë me mjekun, në rastet e shumta, këta barelista është dashtë të zhvillojnë luftime për tërheqjen e shokve të tyre dhe pretendimi i prokurorisë që kta të mos jenë veteranë luftetarë nuk është e drejtë” tha në fund Berisha.

Ndërsa i akuzuari Ahmet Daku, tha se ai është bërë pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, pas autorizimit të komandantit të zonës së Karadakut Ahmet Isufi.

Daku tha se ai është ndier shumë rëndë kur në listat e publikuara të “veteranëve të rrejshëm”, ka pare edhe bashkëluftëtar të tij.

Daku i dorëzoi gjykatës disa prova të cilat sipas tij, do të dëshmojnë se personat e përfshirë në atë listë, që i takojnë zonës së tij, nuk janë veteran të rrejshëm.

Ai tha se ka pasur një rol të ndërmjetësit në mes Komisionit Qeveritar dhe zonës së Karadakut, ndërsa listat përfundimtare të veteranëve luftëtarë i ka nënshkruar komandanti i zonës Ahmet Isufi.

Daku tha po ashtu se në listat e prokurorisë janë përfshirë “veteran të rrejshëm” edhe pjesëtarë që nuk i kanë takuar zonës së tyre e po ashtu edhe persona që janë kategorizuar si pjesëtarë e jo si veteran luftëtarë.

Por prokurori Enver Krasniqi, tha se prokuroria në listën e dorëzuar prej 19 mijë e 500 personave të “veteranëve mashtrues”, i ka verifikuar dhe të njëjtit kanë marrë pensione në emër të veteranit luftëtar.

Kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, vendosi që seancat e radhës në të cilat do të jepen fjalët përfundimtare do të mbahen më 17 dhe 18 nëntor 2020, në ora 9:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën e PSRK-së ndaj 12 të akuzuarve, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar pastaj edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi