SHTYHET SHQYRTIMI GJYQËSOR PËR GRABITJE, MUNGON I AKUZUARI JETMIR KRASNIQI

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, ishte paraparë të mbahej seanca  e radhës, në shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit Jetmir Krasniqi, për veprën penale të grabitjes, por e njëjta nuk është mbajtur sepse nuk ka prezantuar i akuzuari, i cili kishte qenë i njoftuar gojarisht në seancën paraprake të mbajtur më 11 janar 2016.

Prokurori i çështjes Metush Biraj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Rasim Krasniqi, nuk kishin dijeni se pse mungonte i akuzuari dhe vetë i akuzuari nuk ka arsyetuar mungesën e tij, andaj me këtë rast kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, sipas detyrës zyrtare, i ka caktuar atij masën e paraburgimit me qëllim të prezencës së tij, në seancën e radhës, të caktuar për datën 25 mars 2016, në ora 13:05.

Në vitin 2005, i akuzuari ishte dënuar për veprën penale të grabitjes, por këtë aktgjykim e kishte prishur Gjykata Supreme e Kosovës me arsyen se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë.

Më 20 maj 2015, gjyqtari i çështjes, kishte vendosur që të veçojë lëndën për Jetmir Krasniqin, sepse i njëjti kishte qenë i paarritshëm për gjykatën. Deri më tani janë mbajtur dy seanca dhe në seancën e radhës pritet të përfundojë ky shqyrtim gjyqësor.

Në vitin 2001, Prokuroria e Qarkut në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj 16 të akuzuarëve për veprat penale të vjedhjes së rëndë dhe grabitjes, disa prej të akuzuarve janë liruar nga akuza, ndërsa është dënuar Bujar Basha me 8 vite burgim, i cili është ende në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë