Shtyhet shqyrtimi gjyqësor ndaj pronarit të Kolegjit “Fama”

Raporton: Valdet HAJDINI

Prizren, 10 shkurt – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, nuk është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor ndaj të akuzuarve Salal Ahmetxhekaj, Raif Halili, Xhavit Shabani dhe Milazim Bytyqi. Trupi gjykues i kryesuar Xheladin Osmani ka vendosur të shtyjë shqyrtimin e këtij rasti për muajin mars, pas shqyrtimit të kërkesave të mbrojtjes dhe prokurorit. Në seancën e sotme, të akuzuarit Xhavit Shabani dhe Milazim Bytyqi, përmes mbrojtësve të tyre kanë kërkuar shtyerjen e seancës për një datë tjetër, me arsyetimin që janë të sëmurë në trajtim shëndetësor jashtë vendit. Avokati mbrojtës i Salal Ahmetxhekaj, avokati Hazër Susuri, para trupit gjykues deklaroi se me këto forma të shtyerjes së shqyrtimit gjyqësor po veprohet në kundërshtim me parimin e efikasitetit të procedurës penale, ngase kjo çështje penale vazhdimisht po zgjatet me kërkesë të këtyre të akuzuarve, duke kërkuar nga trupi gjykues që kjo procedurë të veçohet. Edhe avokati mbrojtës i Raif Halilit, avokati Refki Taq, kërkoi nga trupi gjykues veçimin e procedurës për shkak të efikasitetit të procedurës penale.

Skender Morina, avokat mbrojtës i Xhavit Shabanit deklaroi se kjo lëndë është e ndërlidhur me të gjithë të akuzuarit, prandaj ka kërkuar nga gjykata që ta shtyjë shqyrtimin për një datë tjetër. Ndërkaq, mbrojtësi i Milazim Bytyqit, avokati Pjetër Përgjoka, tha se nuk pajtohet me kolegët për arsyet e veçimit të procedurës, për faktin se gjykata është në dijeni të arsyeve për mosprezencën e të akuzuarve në këtë seancë.

Në anën tjetër, prokurori i shtetit Mehdi Sefa ka kundërshtuar ndarjen dhe veçimin e procedurës kundër dy të akuzuarve, meqë sipas tij, veprat penale dhe të akuzuarit janë të ndërlidhur në këtë aktakuzë. Prokurori tha se ky shqyrtim gjyqësor është në fazën përfundimtare dhe sipas tij, veçimi i procedurës nuk është në favor të ekonomizimit të procedurës dhe nuk shkon në favor të vërtetimit të gjendjes faktike.

Pas këtyre propozimeve trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për datën 16 mars 2016, prej orës 9:30, duke refuzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës për të veçuar procedurën, me arsyetimin se në këtë çështje penale janë ndërmarrë disa veprime gjatë seancave kryesore.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren, me të cilën të akuzuarit Salal Ahmetxhekaj dhe Raif Halili ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit, si dhe të akuzuarit Xhavit Shabani dhe Milazim Bytyqi ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit.

Sipas pretendimit të prokurorisë, të akuzuarit Salal Ahmetxhekaj, pronar i Kolegjit Universitar “Fama” dhe Raif Halili, përfaqësues i Kolegjin Universitar “Fama”, gjatë muajit prill-maj 2008 në bashkëveprim si persona zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin dhe me qëllim të shkaktimit të dëmit personit tjetër, kanë shpërdorur pozitën zyrtare në atë mënyrë që me rastin e shitblerjes së palujtshëmrisë, kanë keqpërdorur detyrën në atë mënyrë që shumën e të hollave prej 215.000,00 euro, nuk i’a kanë paguar shitësit, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm në shumën prej 200.000,00 euro, duke i derdhur këto mjete në xhirollogarinë e të pandehurit Xhavit Shabani dhe bashkëshortes së tij Senihate Hasani, edhepse të njëjtit nuk kanë pasur autorizim për shfrytëzim apo bartje të mjeteve. Në anën tjetër, të pandehurit Xhavit Shabani dhe Milazim Bytyqi në kohën dhe vendin e njejtë, në bashkëkryerje si ndërmjetësues me rastin e shit-blerjes së palujtshëmrisë, pa asnjë autorizim gojor apo me shkrim, shumën e të hollave prej 215.000,00 euro i kanë pranuar në xhirollogarinë e të pandehurit Xhavit Shabani dhe bashkëshortes së tij Senihate Hasani, ndërsa i pandehuri Milazim Bytyqi nuk e ka njoftuar me kohë të dëmtuarin për derdhjen e këtyre mjeteve, duke e mashtruar dhe vënë në lajthim.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë