Shtyhet shqyrtimi gjyqësor ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve për keqpërdorim të detyrës

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Ilir Tolaj dhe të akuzuarit tjerë në rastin e tij, nuk arritën që t’i prezantojnë fjalët hyrëse para Gjykatës Themelore në Prishtinë për shkak se e akuzuara tjetër në këtë rast, Valentina Haxhijaj – Pacolli nuk u paraqit në gjykatore.

Si rrjedhojë e mosplotësimit të kushteve për mbajtjen e kësaj seance, ky shqyrtim gjyqësor pritet që të vazhdoj më 15 shtator 2016, duke filluar na ora 09:30. Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu – Selimaj, i njoftoj të pranishmit që mbrojtësi i të pandehurës Valentina Haxhijaj Pacolli, avokati Naser Sopjani, ka njoftuar gjykatën se mbrojtura e tij nuk mund të paraqitet në gjykatë për shkak se e ka vajzën e sëmurë.

Në këtë rast, mbrojtësi i Tolajt, avokati Besnik Berisha, pati një kërkesë, që sipas tij ka të bëj me mos zvarritjen e procesit gjyqësor. Ai i propozoi gjykatës që të veçoj lëndën për Valentina Haxhijaj – Pacollin, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin. Kjo për shkak që provat që janë në aktakuzë nuk janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, dhe mund të trajtohen ndaras. Poashtu, sipas tij mungesa të tilla në gjykatë do të ketë edhe në të ardhmen dhe për t’i evituar ato, ai bëri këtë propozim. “Situata të tilla kemi me pas prapë. Kjo zvarritje e procesit gjyqësor po shkakton probleme. Të vazhdohet me tre të akuzuarit dhe për anëtaret e komisionit të veçohet procedura”, u shpreh Berisha.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk u aprovua nga trupi gjykues, ngaqë sipas tyre veçimi i procedurës nuk kontribuon në efikasitetin e saj. “Arsyet e cekura nga avokati nuk janë shkaqe të mjaftueshme që të veçohet procedura. Nëse ka mungesa të vazhdueshme gjykata ka mekanizma që të siguroj prezencën e tyre”, tha kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu – Selimaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të akuzuarit Ilir Tolaj në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare. Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Leshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë  euro.  Prokuroria pretendon se të lartë përmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër Haxhijaj, Thaçi dhe Tahiri akuzohen si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI”  të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet poashtu se  në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit poashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë Lleshi dhe Agani akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë