Shtyhet shqyrtimi fillestar për vrasjen e mbetur në tentativë, lënda për ndërprerjen e arrestit shtëpiak në Apel

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë – Shkaku se kërkesa për ndërprerjen e arrestit shtëpiak për Brahim Gashin ndodhet në Gjykatën e Apelit ka dështuar të enjten seanca e shqyrtimit fillestar për vrasjen e dyfishtë e mbetur në tentativë dhe për pjesëmarrje në rrahje. Për këto dy vepra penale përpos Gashit po akuzohet edhe Herolind Berisha.

I pandehuri Herolind Berisha, po akuzohet që me 22 nëntor 2021, në lokalin shisha BarCoden në Pejë, kishte tentuar t’i vrisje me thikë dy të dëmtuarit M.S dhe B.M si dhe duke ju shkaktuar lëndime të lehta trupore dy të dëmtuarve tjerë T.H dhe B.D, ndërsa i pandehuri i dytë Brahim Gashi akuzohet për pjesëmarrje në rrahje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, gjyqtari i rastit Murat Hulaj, bëri të ditur se për shkak të ankesës së mbrojtëses së të akuzuarit Brahim Gashi, avokates Filloreta Hoxha-Zymberaj, për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, lënda gjendet ende në Gjykatën e Apelit.

Për çka gjyqtari Hulaj, morri vendim që në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës fillestare e njëjta të shtyhet për 30 qershor 2022, në ora 9:00.

Prezent në seancë ishin prokurori i shtetit Agron Galani, mbrojtësit e të akuzuarit Berisha, avokatët Dafina dhe Haxhi Qekaj, si dhe mbrojtësja e të akuzuarit Gashi, avokatja Filloreta Hoxha-Zymberaj.

Ndryshe, sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 13 maj 2022, po i ngarkon dy të akuzuarit Herolind Berisha dhe Brahim Gashi, për veprat penale vrasje e mbetur në tentativë, lëndime të lehta trupore si dhe pjesëmarrje në rrahje.

Sipas akuzës, me 22 nëntor 2021, rreth orës 22:05 minuta në Pejë, rruga Adem Jashari, në lokalin Shisha Bar Coden, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme dhe përleshjes mes të pandehurve Herolind Berisha, Vetim Krasniqi dhe Brahim Gashi, dhe të dëmtuarve M.S, B.M, T.H dhe B.D, i akuzuari Herolind me dashje tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin M.S.

Gjithnjë sipas akuzës, pasi që i dëmtuari T.H shkon në tualetin e lokalit të cekur, pas tij shkojë të akuzuarit Herolind dhe Vetim e të cilët e sulmojnë të dëmtuarin T.H duke e goditur me grushta dhe pasi i dëmtuari M.S hynë në tualet e ishte duke biseduar me të akuzuarit, aty hynë edhe i dëmtuarit B.M dhe në një moment i akuzuari Herolind e godet me thikë fillimisht të dëmtuarin T.H në pjesën e krahut të dorës së djathtë.

Sipas akuzës, gjersa i akuzuari Vetim e godet T.H me brisk në regjionin e kofshës së këmbës së majtë e pastaj i akuzuarit Herolind e godet me thikë të dëmtuarin M.S në anën e djathtë të kafazit të kraharorit duke i shkaktuar shpim të indit të mushkërisë së djathtë dhe lëndime të rënda trupore, e ku edhe i akuzuari Vetim e kishte goditur me brisk të dëmtuarin Mustaf në krahun e dorës së majtë.

Për çka thuhet në akuzë se ka kryer vepër penale të vrasjes së mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, e cila dënohet me jo më pak se 5 vite burgim.

Sipas akuzës, në vendin dhe kohën e njëjtë gjatë kryerjes së veprës penale të përshkruar, në mosmarrëveshje dhe përleshje në mes të akuzuarve dhe të dëmtuarve, i akuzuari Herolind me dashje tenton ta privoj nga jeta të dëmtuarin B.M.

Nga akuza thuhet se pasi që i dëmtuari B.M në momentin kur i akuzuari Herolind e kishte nxjerrë thikën i dëmtuari B.M me qëllim të parandalimit të sulmit e kap për dore në të cilën e mbante thikën Herolindi, mirëpo nuk arrin që ta ndal dhe në atë moment i akuzuari Herolind e godet me thikë të dëmtuarin B.M në bark duke i shkaktuar shqyerjen e rizës së barkut të zorrës së hollë dhe të mbështjellësit të pasmë të hapësirës abdominale, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Për çka thuhet në akuzë se ka kryer vepër penale të vrasjes së mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, e cila dënohet jo më pak se 5 vite burgim.

Me datën e njëjtë, përgjatë përleshjes i akuzuari Herolind me dashje u shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarve T.H dhe B.D, ku gjatë përleshjes të dëmtuarin T.H e godet disa herë me thikë në dorën e djathtë në krahë duke i shkaktuar plagë shpuese të indeve të buta, si dhe të dëmtuarit B.M duke e goditur disa herë me thikë, në pjesën e poshtme të dorës së majtë dhe të regjionit të vithes së djathtë duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Për çka thuhet se në të dyja kishte kryer vepra penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.2, lidhur me par.1 pika 1.1 të KPRK-së, e cila dënohet me burgim prej 6 deri në 5 vite.

Ndërsa sipas akuzës i akuzuarit Brahim Gashi, me datën, orën, rrugën dhe lokalin e njëjtë, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të akuzuarve dhe dëmtuarve të lartëcekur, aktivisht kishte marrë pjesë në rrahje e cila ka rezultuar me rrezikim të jetës së të dëmtuarve M.S dhe B.M, e me ç’rast kishte shkaktuar edhe lëndime të rënda trupore tek i dëmtuari B.D, ashtu që gjatë përleshjes me shishe të birrës në dorë e sulmon të dëmtuarin B.D duke i shkaktuar gërvishtje në kokë.

Për çka thuhet në akuzë se ka kryer vepër penale pjesëmarrja në rrahje nga neni 187 par.1 të KPRK-së, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vite./BetmipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë