SHTYHET SHQYRTIMI DYTËSOR NË RASTIN E DALLAVEREVE ME ORËT ELEKTRIKE, VDES NJË I AKUZUARI

Raporton: Gëzim HASANI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ishte paraparë të mbahet shqyrtimi i dytë kundër të akuzuarve Blerim Sokoli, Vjollca Ajvazi, Drita Hamiti dhe Avni Alidemaj, por e njëjta është shtyrë pasi i akuzuari Blerim Sokoli ka ndërruar jetë. Seanca gjyqësore me gjykatësin e vetëm të trupit gjykues Shasivar Hoti, është shtyrë për një datë tjetër.Personat në fjalë akuzohen për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe veprën penale mashtrim i blerësve në lidhje me mundësinë që iu kishin ofruar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” për të përfituar dobi pasurore dhe të njejtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Në fillim të seancës prokurori Hivzi Bajraktari ka kërkuar nga gjykata sigurimin e çertifikatës së vdekjes nga shërbimi civil në Prizren që të zyrtarizohet vdekja e të ndjerit dhe të mundësohet procedimi i mëtejshëm i procesit gjyqësor.

Në këto rrethana, gjykatësi Shasivar Hoti mori aktvendim që seanca e shqyrtimit të dytë të mbahet më 29 Mars 2016.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 6 tetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër Blerim Sokolit në cilësi të drejtorit në Agjencionin e Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Vjollca Ajvazit dhe Drita Hamitit në cilësinë e zyrtarëve të Metrologjisë për Madhësi Elektrike dhe Avni Alidemajt në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS. Prokuroria pretendon se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor 2014, të akuzuarit duke tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos kryer përmbushur detyrat e përcaktuara me ligj, kanë kryer vepër penale duke u mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njejtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë