Shtyhet sërish seanca në rastin ku avokatët po kërkojnë anulimin e vendimit të OAK-ut

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë – Në mungesë të paditësve Naim Rudari dhe Edita Kusari ka dështuar sërish të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, në rastin ku të njëjtit po kërkojnë anulimin e vendimit  të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).

Lidhur me mungesën e paditëses Kusari, gjykatësja e rastit Vjollca Limani bëri të ditur se e njëjta është ftuar për seancën e sotme por nga shërbimi postar nuk është arritur të bëhet dorëzimi i rregullt i ftesës pasi që është konstatuar se adresa e saj nuk është e plotë.

Ndërsa sa i përket paditësit  Ruduari, i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e sotme mirëpo nuk e ka arsyetuar mungesën e tij sot.

Duke pasur parasysh këto rrethana, gjykatësja Limani mori vendim, me të cilin e shtyu seancën për 4 korrik të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Limani konstatoi se ky njoftim do shërbejë si ftesë e rregullt për palët prezentë.

Ndërsa pala e paditur dhe paditësi Rudari do ftohen me ftesa të rregullta për seancën e radhës.

Sa i përket Edita Kusarit, e njëjta do njoftohet përmes tabelës se shpalljeve.

Përndryshe në seancën e sotme të pranishëm ishin paditësja Albana Kelmendi, si dhe përqafuesi  i autorizuar i OAK-ut Besim Abdullahu.

Sipas Padisë së ushtruar më 11 nëntor 2016, dhe të ndryshuar më 8 qershor 2020 paditësit-avokatët Albana Kelmendi, Edita Kusari dhe Naim Rudari po kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, anulimin e vendimit të  Odës së Avokatëve me të cilin ishte refuzuar ankesa e ushtruar nga 47 avokatëve të Zyrës Regjionale të Prishtinës

Me vendim të OAK-së ankesa e paditësve është refuzuar si e palejueshme, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se komisioni i Ankesë pas mbajtjes së seancës dhe pas shqyrtimit të ankesës së grupit  nga 47 avokatëve të Zyrës Regjionale të Prishtinës, me të cilin e ankimojnë, Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të OAK, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës, të datës 26 prill 2016 dhe Rregulloren për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe Ofrimin e ndihmës juridike falas të datës 30 qershor 2016, me kërkesë që të anulojë këtë marrëveshje si të pa bazë ligjore, vlerësimit të thënieve ankimore dhe dispozitave ligjore të nenit 47 par 1, lidhur me nenin 57 par 1 të Rregullores për procedurën disiplinore të OAK dhe ligjore të nenit 98, par1, i Statutit të Odës së Avokatëve të Kosovës, Komisioni i ankesa i OAK, ka kompetencë të shqyrtoi ankesat disiplinore dhe vendimet e Këshillit Drejtues të OAK./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë