SHTYHET SËRISH SEANCA GJYQËSORE NDAJ DREJTUESVE TË “AGROKOSOVA HOLDING”

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Seanca e së hënës ndaj të akuzuarëve Habib Usaj, Giancarlo Koliotassis nuk ka mundur të vazhdojë sepse ende nuk është arritur të konstatohet se kush ka të drejtë ta përfaqësojë “Agrokosova Holding”-un, pasi që këtë të drejtë e pretendojnë avokatët Hysni Veseli dhe Shpresa Berisha-Rexhepi, të cilët janë caktuar nga aksionarët e kompanisë, të cilët kanë probleme mes vete dhe nuk i besojnë të njëjtit avokat. Ky shqyrtim gjyqësor ishte caktuar të mbahej në Gjykatën Themelore në Prizren, sipas aktakuzës, e cila i ngarkon dy të akuzuarit se kanë kryer veprat penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, duke i’u shmangur tatimit, me çka, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit, dëm në vlerë, afro 10 mijë euro.

Prokuroria i akuzon Habib Husajn dhe Giancarlo Koliotassis, se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin, kanë nënshkruar dy kontrata me kompaninë “Euro Test” nga Novi Pazari për shitjen e verës prej 1.000.000 litrash,  në njërën kontratë e kishin shënuar çmimin 0.17 euro, ndërsa në tjetrën 0.20 euro, duke mos paguar tatimin në fitim në shumë prej 5.085.40 euro dhe që Habib Usaj nuk kishte paguar tatimin për të ardhurat e Giancarlo Koliotassis, me çka i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, në shumën prej 4.692.50 euro.

Në këtë seancë, nga mbrojtësi i të akuzuarit Habib Husaj, avokati Et’hem Rogova, është ngritur çështja se prokuroria nuk e ka caktuar saktësisht palën e dëmtuar, sepse sipas tij, këtu nuk është dëmtuar “Agrokosova Holding” dhe nuk duhet të paraqitet si palë e dëmtuar.

Prokurori i çështjes, Genc Nixha, ka ngritur shqetësimin se eksperti, i cili e ka bërë ekspertizën në këtë çështje penale, ka ndërruar jetë dhe duhet të caktohet një ekspert tjetër, për të vendosur se a duhet të bëjë një ekspertizë të re apo ta interpretojë atë që është bërë.

Kjo çështje penale është duke u zvarritur që nga viti 2008, është dërguar edhe në Departamentin Ekonomik pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë,  për përcaktimin e sasisë së aksioneve në mes aksionarëve kryesorë, gjë e cila nuk është sqaruar nga ky departament, andaj ka dilema të mëdha se kush duhet ta përfaqësojë kompaninë, kush është i dëmtuar në këtë rast dhe nga 11 vepra penale që kanë qenë pjesë e aktakuzës në fillim, vetëm tri vepra kanë mbetur, për shkak të parashkrimit të tjerave.

Avokatja, Shpresa Berisha-Rexhepi ka njoftuar trupin gjykues se në ora 12 do të ketë një përmbarim të vendimit të Departamentit Ekonomik, sipas të cilit do t’i lejohet qasja e “QMI” shpk dhe administratorit Aziz Tafaj në “Agrokosova Holding”, andaj ka kërkuar që seancën ta ndërpresë dhe ta caktojë për një datë tjetër në mënyrë që t’u mundësohet të ekzekutojnë përmbarimin.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani e ka pranuar kërkesën e avokates Shpresa Berisha-Rexhepi dhe e ka shtyrë seancën e së hënës për 26 prill 2016 sepse dëshmitari Gianfranco Fantineli ka thënë se nuk mund të vijë në Kosovë para kësaj date.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë