SHTYHET SËRISH RASTI I MTPT-SË

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Është anuluar sërish seanca e paraparë të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për rastin e njohur si MTPT. Kryetarja e Trupit Gjykues, Maria Tuma ka informuar se këmba e saj ende nuk është shëruar plotësisht, duke shtuar gjithashtu që njëri nga anëtarët e trupit gjykues mungon për arsye shëndetësore. Dëshmitarja Vjollca Kelmendi, e cila ka qenë e paraparë të dëgjohet të mërkurën, është njoftar me kohë nga gjykata, ndërkaq palët e rastit këtë njoftim e kanë marrë vetëm pasi janë paraqitur në këtë seancë.

Fatmir Limaj, ish-ministër i MTPT-së, i akuzuar në këtë rast, tha për “Betimi për Drejtësi” se shtyrjet e shpeshta të seancave kohëve të fundit nuk janë asgjë e jashtëzakonshme, duke shtuar se e kupton gjendjen shëndetësore të gjyqtares. “Është normale që të shtyhen seancat për shkak se gjyqtarja kishte ardhur me paterica”, tha Limaj.

Ndërkaq, gjyqtarja Tuma, ka sqaruar që bashkë më zyrtarët e saj ligjor, janë duke lexuar shkresat e lëndës në zyre dhe po e shfrytëzojnë këtë kohë për të punuar në këtë rast.

Seanca e radhës për rastin e njohur si MTPT do të mbahet më 8 mars, ku dhe do të dëgjohet dëshmitarja Vjollca Kelmendi.

Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi akuzohen për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpërtim Telaku për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe i akuzuari i fundit Florim Zuka për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Përveq këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet poashtu edhe për veprën mosdeklarim i parave për fushatë. Këto vepra të përmendura në akuzë, kanë të bëjnë me gjashtë tenderë për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve nga kjo ministri.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë