SHTYHET SEANCA, POLICI I AKUZUAR PËR KORRUPSION NUK DAKORDOHET ME AVOKATIN PËR PAGESË
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Shqyrtimi i dytë ndaj zyrtarit policor Faton Bajraktari, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, i caktuar të mbahej, të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, nuk është mbajtur për shkak se i akuzuari nuk kishte avokat mbrojtës, sepse kishte dështuar të arrinte marrëveshje për lartësinë e pagesës për shërbimet e mbrojtjes me avokatin Skender Morina.
Në seancën e së premtësn, i akuzuari Bajraktari, ka njoftuar kryetarin e trupit gjykues, Xheladin Osmanin, se mbrojtësi i tij avokati Skender Morina nuk do të prezantojë në këtë seancë sepse nuk kanë mundur të dakordohen për lartësinë e pagesës për mbrojtje, andaj ka kërkuar që të shtyhet ky shqyrtim për një datë tjetër, në mënyrë që të gjejë një avokatë tjetër.
Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, në mungesë të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar kërkesën e të akuzuarit, andaj shqyrtimin e dytë, e ka shtyrë për datën 14 mars 2016, në ora 11:00.
Prokuroria Themelore në Prizren, në dhjetor të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit, Faton Bajraktari, të cilin e akuzon se me rastin e daljes në vend të ngjarjes për një aksident të ndodhur në Prizren, ka ndryshuar kohën e ndodhjes së aksidentit me qëllim të mundësimit të sigurimit të automjetit, një shtetasi rumun, të cilit i kishte dalë afati i sigurimit, katër ditë para aksidentit, me këtë rast, sipas prokurorisë, ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar dokumentin zyrtar, duke i mundësuar përfitim të dobisë pasurore, personin tjetër dhe duke i shkaktuar dëm kompanisë së sigurimit.