SHTYHET SEANCA PËR SHKAK TË MOSPËRPUTHJES SË PROVAVE ME AKTAKUZËN

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë –  Edhe pse të pranishëm gjitha palët në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca gjyqësore kundër Merita Kostarit u shty ngase sipas gjyqtares së rastit Albina Rama, dispozitivi i aktakuzës nuk përputhej me provat e lëndës që gjykata posedon. Andaj, Prokurorisë iu dha një afat prej 7 ditëve që t’i ndërmerr veprimet e domosdoshme lidhur me sigurimin e provave në bazë diskrecionale dhe lidhur me këtë obligohet ta njoftoj Gjykatën me shkrim.

Nga ana tjetër mbrojtësi i të pandehurës tregoi se në kundërshtimin e shpalosur kishin kërkuar nga Gjykata që të hudhej aktakuza. “Gjendja faktike nuk indikon se në veprimet e të mbrojturës sime ekzistojnë elemente të veprës penale, ngase mungon elementi i dashjes”, tha Naim Krasniqi, mbrojtës i Kostarit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2015 kishte ngritur aktakuzë kundër Merita Kostarit me pretendimin se e njejta nuk kishte respektuar Ligjin për deklarim, preardhje dhe kontrollim të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik sepse sipas Prokurorisë nuk kishte deklaruar zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare dhe të hyrat nga këto aksione për anëtarët e familjes, edhe përkundër faktit se ka qenë e obliguar ta bëjë këtë në Agjencionin Anti Korrupsion. Në dispozitiv të Aktakuzës thuhet se një gjë e tillë e pandehura ishte dashur ta bëjë brenda periudhës kohore prej 30 ditëve nga dita kur kishte pranuar njoftimin.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë