SHTYHET SEANCA PËR SHKAK TË MOSLOKALIZIMIT TË DËSHMITARES

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë Edhe pse ditën e premte ishte paraparë të mbahet seanca gjyqësore kundër të akuzuarve Jakup Dumani dhe Atdhe Kabashi, një gjë e tillë rezultoi pa sukses ngase dëshmitarja e paraparë të dëgjohet për këtë ditë Valbona Ferati mungonte.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Nora Bllaca shpjegoi se për herë të dytë i ishte dorëzuar urdhëresa stacionit policor të Obiliqit për lokalizimin dhe sjelljen e dëshmitares në fjalë, megjithatë policia nuk ishte përgjigjur, e për më tepër Gjykata nuk kishte prova se policia e kishte pranuar këtë urdhëresë. Andaj, Gjykata vendosi që të ripërsëris këtë urdhëresë dhe seancën e radhës e caktoi për 15 maj 2016.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Jakup Dumanin me vëprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” me pretendimin se përgjatë viteve 2013-2014 në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion në komunën e Fushë Kosovës,  nuk kishte ndërmarrë veprime që bien në kompetencë të tij për të rrënuar objektin ndërtimor të ndëtuar pa leje nga ana e firmës “Kabashi am” shpk me qëllim që kjo kompani të përfitojë. Ndërkaq, Atdhe Kabashi, pronar i kësaj firme akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërtim dhe standardet minimale dhe se pa leje ka ndërtuar objektin banesor në fjalë. Ai ngarkohet me veprën penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë