Shtyhet seanca për rastin NLB-Prishtina, gjykatësja në pushim mjekësor

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Seanca e paraparë për të hënën në rastin e njohur si rasti i NLB-Prishtinës kundër të akuzuarve Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli, Besnik Delijaj dhe Miradije Morina nuk është mbajtur, për shkak të mungesës së gjykatëses, e cila ndodhet në pushim mjekësor.
Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, sipas të cilës të akuzuarit, në cilësinë e personave zyrtarë, akuzohen se kishin shpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë. Ata akuzohen se kanë shkelur detyrën zyrtare me rastin e deponimit – afatizimit të parave nga klientët e dëmtuar, duke përfituar kështu përmes përvetësimit të shumave të mëdha të të hollave.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Burim Ademaj në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës në bankën NLB-Prishtina, ngarkohet me veprat penale “përvetësim në detyrë” dhe “mashtrim”, i akuzuari Ilir Kryeziu në cilësinë e arkëtarit – këshilltarit të klientëve të ekspoziturës së NLB- Prishtina, ngarkohet me veprën penale “përvetësimi në detyrë”, Maliq Behluli – arkëtar i ekspoziturës së NLB-Prishtina, ngarkohet me veprën penale “përvetësimi në detyrë” dhe Besnik Delilaj – arkëtar i ekspoziturës, ngarkohet me veprën penale “përvetësimi në detyrë”. Prokuroria po ashtu ka bërë një ricilësim të aktakuzës duke e përfshirë edhe të pandehurën Miradije Morinën, punonjëse e kësaj banke në Degën e Suharekës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë