SHTYHET SEANCA PËR RASTIN NLB-PRISHTINA, GJYKATËSJA GJENDET JASHTË SHTETIT

Raporton: Gëzim HASANI

Prishtinë – Seanca e paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarve Ilir Kryeziu, Burim Ademaj, Besnik Delilaj dhe Maliq Behluli për rastin e njohur si “NLB Prishtina”, nuk është mbajtur për shkak të mungesës së gjykatëses Afërdita Bytyqi, e cila gjendet në udhëtim jashtë shtetit.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, sipas të cilës të akuzuarit, në cilësinë e personave zyrtarë, akuzohen se kishin shpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë. Ata akuzohen se kishin keqpërdorur me rastin e deponimit – afatizimit të parave nga klientët e dëmtuar, duke përfituar përmes përvetësimit të shumave të mëdha të të hollave.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Burim Ademaj në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës në bankën NLB-Prishtina, ngarkohet me veprat penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës” dhe “mashtrimi”, i akuzuari Ilir Kryeziu në cilësinë e arkëtarit – këshilltarit të klientëve të ekspoziturës së NLB- Prishtina, ngarkohet me veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”, Maliq Behluli – arkëtar i ekspoziturës së NLB-Prishtina, ngarkohet me veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës” dhe Besnik Delilaj – arkëtar i ekspoziturës, ngarkohet me veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.

Prokuroria ka bërë një ricilësim të aktakuzës duke futur në aktakuzë edhe Miradie Morinën, punonjëse e kësaj banke në Degën e Suharekës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë