Shtyhet seanca për rastin ku paditësja po kërkon nga Komuna e Dragashit kompensimin e dëmit në shumën prej 19 mijë euro

Foto per Web -2-26.01.2021
Author

Raporton: Albulena Huçaj

Janar 26, 2021

Dragash Është shtyrë për muajin tjetër seanca për rastin ku paditësja Fehmije Krasniqi po kërkon nga Komuna e Dragashit kompensim dëmi.

Seanca e paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, u shty për shkak të mungesës së ekspertit, Adem Kadolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatëses së rastit, Sabaheta Kurteshi, eksperti Kadolli e ka arsyetuar mungesën e tij përmes telefonit, duke deklaruar se nuk do të mund të vinte në gjykatë për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Në seancën e paraparë për të martën nuk ka prezantuar as përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Mejdin Selmani.

Ndërsa, të pranishëm në sallë të gjykimit kanë qenë paditësja Fehmije Krasniqi dhe përfaqësuesi i Komunës së Dragashit, Ramadan Krasniqi.

Gjyqtarja Kurteshi, seancën e radhës për këtë rast, e ka caktuar për 18 shkurt 2021, në ora 13:15.

Sipas padisë së ushtruar me 8 maj 2017, Fehmije Krasniqi po pretendon se Komuna e Dragashit i ka borxh dhe kërkon nga gjykata që ta detyroj atë t’ia kompensoj dëmin e shkaktuar.

Sipas padisë, paditësja është pronare e biznesit individual, biznes ky i regjistruar pranë ministrisë kompetente, në fillim të muajit janar të vitit 2016. Në padi thuhet se për shkak të kushteve të këqija atmosferike, biznesi  i cili gjendet në fshatin Pllavë është rrënuar dhe si pasojë e kësaj asaj i janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, në shumën prej 9,200 euro, të vlerësuara nga ana e Komisionit të Drejtoratit të Komunës së Dragashit, ku edhe është përpiluar procesverbal sa i përket dëmit të shkaktuar.

Në padi thuhet se meqenëse Komuna e Dragashit nuk i ka ofruar ndihmë materiale paditëse, ajo ka adresuar kërkesën e saj pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë, Turizmit dhe Zhvillimit Rural. Kjo e fundit thuhet se ka aprovuar kërkesës e saj dhe i ka lejuar mjetet materiale në shumën prej 2,300 euro, ku këto mjete me të holla janë bartur në llogari të Komunës së Dragashit, me obligim që këtu e paditura, të gjitha mjetet t’i bartë në llogarinë rrjedhëse të biznesit individual “Fehmije Krasniqi B.I”, mirëpo e njëjta ka kthyer mjetet .

Në padi thuhet se për shkak të problemeve të përmendura më lartë, paditësja nuk ka mundur të kryej punët e domosdoshme të planifikuara në biznesin e saj, rreth sigurimit të farërave për prodhimet bujqësore si dhe farave të luleve të ndryshme dhe dheut.

Andaj, për shkak të lëshimit të këtyre punimeve, sipas padisë, ajo ka pësuar humbje materiale në shumën prej 19,000 euro, shumë kjo të cilën kërkon nga Komuna e Dragashit që t’ia kompensoj. /BetimipërDrejtësi