Shtyhet seanca për rastin e KEK-ut, rasti vazhdon të procedohet

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë, 9 shkurt 2016 – Të martën është mbajtur seanca statutore kundër shtatë të akuzuarve lidhur me tenderin e KEK-ut në mesin e të cilëve janë Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj. Në këtë seancë nuk ka qenë prezent Sami Lushtaku, ndërsa arsyen e mungesës së tij nuk ka ditur ta shpjegoj as mbrojtësi i tij Arianit Koci, i cili ka deklaruar se nuk ka ndonjë informatë rreth mungesës së tij.

Kjo seancë është mbajtur vetëm tre minuta me prezencën e publikut, ndërsa është mbyllur nga Kryetari i Trupit Gjykues Vladimir Mikula me arsyetimin se kjo seancë e ka cilësinë organizative statutore dhe nuk është një seancë e rëndomtë, pa dhënë ndonjë arsyetim tjetër më specifik.

Pas rreth dy orë e gjysmë sa ka zgjatur kjo seancë statutore, trupi gjykues ka vendosur të procedoj tutje me këtë lëndë derisa Gjykata Kushtetuese të merr një vendim lidhur me kërkesën e avokatëve për ndërprjejen e procedurës për shkak të pretendimit të tyre se aktakuza është e pasafatshme. Kjo është bërë e ditur, pas seancës nga mbrojtës i Sami Lushtakut, avokati Arianit Koci. Ai ka njoftuar se prokurori i çështjes ka sugjeruar që të veçohet procedura për Sami Lushtakun sepse provat dhe dëshmitaret e çështjes nuk lidhen me këtë proces.

Sipas Kocit, trupi gjykues, ka vendosur që në këtë rast të procedohet tutje dhe seancat të fillojnë të mbahen gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti.

Në këtë rast të njohur si rasti i KEK-ut, mbrojtja e të akuzuarve ka ushtruar ankesë, për afatin e ngritjes së aktakuzës dhe e njëjta është aprovuar nga Gjykata e Apelit. Ndërkohë, ndaj këtij vendimi, ishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë nga prokurori Claudio Pala, dhe sipas aktvendimit të Gjykatës Supreme, ishin konstatuar shkelje të Gjykatës së Apelit, duke lejuar vazhdimin e procedimit të këtij rasti, duke u bazuar në këtë aktakuzë të pasafatshme, e cila sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme ka mundur të ngritet edhe pas afatit të hetimeve të lejuar.

Hetimet për këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015. Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për të lejuar procedimin e këtij rasti është kontestuar nga avokatët mbrojtës, të cilët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese caktimin e masës së përkohshme që kjo procedurë të ndërpritet dhe të hudhet poshtë aktakuza si e pasafatshme.

Ndryshe, sipas aktakuzës këta shtatë persona akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të Korporatës Energjetike të Kosovës. Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëkrye, Driton Pruthi për veprat penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë