Shtyhet seanca për korrupsion në mungesë të dëshmitarëve

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Për shkak të mungesës së dëshmitarëve, është shtyrë seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Pjetër Boqi, i cili akuzohet për ryshfet. Seanca parashihej të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, por e njëjta dështoi pasi që mungonin dëshmitarët.

Mungesa e dëshmitarëve ka ardhur si rezultat se prokuroria nuk ka njoftuar gjykatën për adresat e dëshmitarëve të propozuar me aktakuzë dhe vetëm në këtë seancë, prokurori i rastit Mehdi Sefa, ka sjellë adresat e dëshmitarëve.

Përballë një situate të tillë, kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka konstatuar se nuk ka kushte që seanca të mbahet, andaj të njëjtën e ka shtyrë për 26 tetor 2016, në ora 10:00.

Rasti zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon 5 persona për marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.

Katër të akuzuarit tjerë kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë me prokurorinë, ndërsa rasti ndaj të akuzuarit Boqi, është veçuar dhe vazhdon në procedurë të rregullt.

Boqi, akuzohet se gjatë vitit 2011, duke qenë instruktor në auto-shkollën “Geni” në Prizren, ka marrë shuma të parave për të kaluar kandidatët për patentë-shofer në mënyrë të parregullt.

Poashtu akuzohet se ka falsifikuar certifikatat mjekësore me të cilën kandidatët kanë hyrë në provim për patentë-shofer.

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë