SHTYHET SEANCA PËR KORRUPSION NDAJ TRE ZYRTARËVE TË KOMUNËS SË KAÇANIKUT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të premtën, filloi shqyrtimi gjyqësor ndaj Jehona Dervishit, Hajredin Shehut dhe Menduh Krasniqit, të cilët akuzohen në bashkëkryerje për veprën penale “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, mirëpo e njëjta është shtyrë me vendim të trupit gjykues për arsye se mungoi përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Rexhep Morina, i cili njëherit do të paraqitej edhe në cilësinë e dëshmitarit. Në këtë çështje penale ishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Zeqir Selmani, mirëpo procedura penale ndaj tij është pushuar për shkak se i njejti ka vdekur.

Lidhur me mungesën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, i cili në këtë shqyrtim do të dëshmonte në cilësinë e dëshmitarit u konstatua se i është dërguar ftesë e rregulltë nga Gjykata, por që e njejta është kthyer pa asnjë përgjigjie. Për këtë kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi tha se do të bëhet verifikimi i adresës së saktë të tij e nëse përsëri nuk i përgjigjet ftesës i njejti do të urdhërohet të sillet me forcë.

Në seancën e së premtes, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit Rasim Maloku, që të tre të akuzuarit Jehona Dervishi, Hajredin Shehu dhe Menduh Krasniqi u deklaruan të pafajshëm për veprën penale me të cilën rëndohen “falsifikim i dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 348 paragrafi 1 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës PP.I 81/13 e ngritur me datë 28 gusht 2015 , të pandehurit Jehona Dervishi, Hajredin Shehu dhe Menduh Krasniqi akuzohen se me datë 19 qershor 2012 në Kaçanik, në cilësinë e personave zyrtar dhe atë e pandehura e parë si Kryetare e komisionit për vlerësimin e ofertave kurse dy të tjerët si anëtarë të komisionit, kanë falsifikuar shkresën zyrtare – raportin e vlerësimit të ofertave për tenderin me numër të prokurimit KA 652/12/027/521 të shpallur nga Komuna e Kaçanikut , me destinim “ndërtimi i trotuarit për këmbësorë në fshatin Kaçanik i Vjetër”.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë