SHTYHET SEANCA PËR KORRUPSION NDAJ TË AKUZUARIT ENVER AJETI, MUNGON EKSPERTIZA E PLOTËSUAR

Raporton: Gëzim HASANI

Prishtinë – Për shkak të mungesës së ekspertizës së plotësuar, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk ka mundur të vazhdoj shqyrtimi gjyqësor ndaj Enver Ajeti, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në cilësinë e kontrollorit të Postës së Kosovës në Degën e Podujevës.

Në këtë seancë gjyqësore ishte ftuar Xhevdet Krasniqi, ekspert financiar, për të prezantuar plotësimin e ekspertizës para trupit gjykues. “Për shkak të obligimeve të shumta të Postës së Kosovës, nuk kam arritur të kryjë plotësimin e ekspertizës në kohën e caktuar, prandaj kërkojë që seanca të shtyhet për datë tjetër”, tha Xhevdet Krasniqi.

Prokurori Avdurrahim Islami, tha se edhe pse pala e dëmtuar kanë pasur kohë për zbërthimin e provave, prapë duhet të vendoset një afat shtesë mbi bazat e së cilës duhet të plotësohet ekspertiza financiare.

Trupi gjykues ka miratuar këtë kërkesë dhe ka vendosur ta shtyjë seancën për 26 prill 2016, ndërsa ka marr aktvendim që përfaqësuesi i Postës së Kosovës dhe eksperti financiar ta dorëzojnë ekspertizën e plotësuar jo më larg se më 14 prill 2016.

Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë nuk i kishte dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.

Sipas aktakuzës, Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore për periudhën kohore 26 prill deri më 2 maj 2013, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro.

Kjo mungesë e mjeteve ishte zbuluar nga Komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës, si dhe koordinatorja e financave, thuhet në aktakuzë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë