SHTYHET SEANCA PËR KORRUPSION, MUNGOJNË ANËTARËT E TRUPIT GJYKUES

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Seanca e paraparë për tu mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarve Muhamet Prapashtica, Besnik Sadiku, Faton Canolli, Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani, nuk është mbajtur për shkak të mos prezencës se antarëve të trupit gjykues si dhe mungesës së prokurorit.

Gjykatësi i vetëm i trupit gjykues, Shashivar Hoti bëri të ditur se një nga anëtarët e trupit gjykues gjindet në një seminar, përderisa tjetri  ka probleme shëndetësore

Bazuar në këto rrethana, shqyrtimi i kësaj date u shty për 12 prill në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së 17 shtatorit 2008, të pandehurit Muhamet Prapashtica, Besnik Sadiku dhe Faton Canolli janë akuzuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, përderisa Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare.

I pandehuri Muhamet Prapashtica në cilësinë e pronarit të firmës “M-Gas petrol” gjatë vitit 2007 ka vepruar kundër ligjit, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi ka ndërtuar pompën e derivative “M-Gas petrol” në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.  Në këtë rast ndërmarrja ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasuri të vlerave të mëdha, ashtu që më 15 mars 2008, gjatë furnizimit me gas nga një autocisternë e firmës “P-Gas” nga Peja, është shkaktuar rrezik i madh për jetën ashtu që ka ardhë deri te ndezja e gazit ku nga lëndimet e marrura kanë vdekur Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku.

Tutje aktakuza ngarkon Besnik Sadikun, i cili në cilësinë e pronarit të ndërmarrjës “P-Gas” ka marrë me qira objektin e deponisë së gazit në Fushë Kosovë . I njëjti ka vepruar në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe standardet e përgjithshme profesionale kundër kushteve të lejes për ndërtim. Në këtë mënyrë është rrezikuar jeta e njerëzve dhe pasurisë, ashtu që punëtorët nuk kanë qenë të pajisur me ADR, si dhe firma nuk ka qenë e licensuar për transportimin e lëndëve të rrezikshme ku i njëjti nuk ka aplikuar asnjë dokument të nevojshëm për zhvillimin e veprimtarisë.

I pandehuri Faton Canolli në cilësinë e vozitësit në firmën “P-Gas” në pikën e shitjes së derivative të naftës, i pa trajnuar për transportim dhe bartjen e lëndëve të rrezikshme si dhe pa kontratë pune, gjatë procesit të furnizimit ka ardhur deri te eksplodimi i gasit.

Ndërkaq, aktakuza ngarkon Ahmet Frangun dhe Nafije Osmanin, të cilët në cilësinë e inspektorëve të tregut, duke e shpërdorur detyrën zyrtare i kanë mundësuar ndërmarrjes  të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke lejuar që të punohet pa leje valide.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë