Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të mërkurën, është shtyrë seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Sabri Miftarit, i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Seanca është shtyrë, pasi mbrojtësi i të akuzuarit Sabri Miftari, avokati Sherif Sherifi, e ka njoftuar gjykatën se ai dhe i mbrojturi i tij ende nuk kanë marrë përgjigje në lidhje me kërkesën për hudhjen e aktakuzës, të cilën e kishte paraqitur pas shqyrtimit fillestar. Mirëpo gjatë seances u njoftua nga kryetarja e trupit gjykues Emine Salihu se kërkesa për hudhjen e aktakuzës është refuzuar.
Kryetarja e trupit gjykues mori aktvendim që seanca të shtyhet që mbrojtësit të të akuzuarit, t’i dorëzohet aktvendimi mbi refuzimin e kërkesës për hudhjen e aktakuzës nga ana e gjykatës, në mënyrë që mbrojtësi të ketë mundësi për parashtrimin e ankesës kundër këtij aktvendimi.
Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ku Sabri Miftari, akuzohet se nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare si roje e pyllit, ashtu që në sipërfaqen e pyllit – Njësia Menaxhuese Kopilaq, tereni Letenicë dhe Stanqiq më 4 mars 2013, nga Agjencioni Pyjor i Kosovës është konstatuar dëmi i përgjithshëm prej 839.32 m2, nga të cilat të pa arsyetuara me fletëparaqitje kanë qenë 325.61 m2, edhe pse ka qenë i obliguar që këto dëme t’i raportoj në Njësinë e AKP-së në Viti, dhe me këto veprime u ka mundësuar përfitim material prerësve ilegal të pyllit.