Shtyhet seanca për korrupsion kundër komunarëve të Malishevës në rastin e dallavereve me prona

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjakovë – Është shtyrë seanca e caktuar për tu mbajtur të enjten, kundër ish-Drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër Nuhi Shala, si dhe tre zyrtarëve tjerë të Komunës së Malishevës Sefedin Krasniqi, Hysen Thaçi dhe Mal Krasniqi, që të gjithë të akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Kjo seancë është shtyrë për shkak të mungesës në sallën e gjykimit të dy të akuzuarve Sefedin Krasniqi dhe Hysen Thaçi.

Kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani i njoftoi të pranishmit se përkundër faktit që të akuzuarit kanë qenë të njoftuar për datën e mbajtjes së kësaj seancë, ata nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Nga ana tjetër, prokurori i rastit Agron Matjani i propozoi trupit gjykues ta shtynë seancën, me arsyetimin se nuk ka kushte ligjore për vazhdimin e saj, në mungesë të të akuzuarve.

Në këtë seancë ishin të pranishëm të akuzuarit Nuhi Shala dhe Mal Krasniqi, si dhe avokatët e tyre Rrahman Kastrati dhe Emrush Kastrati, të cilët e përkrahën propozimin e prokurorit për shtyrje të seancës.

Seanca e ardhshme për këtë rast u caktua për 3 tetor 2016, me fillim në ora 10.00.

Ky gjykim zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ku sipas pretendimit të saj të akuzuarit Nuhi Shala, Sefedin Krasniqi, Hysen Thaqi dhe Mal Krasniqi kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke u shkaktuar dëm Zenel dhe Miftar Mazrekut. Sipas prokurorisë, këtë e kanë bërë kur me aktvendim të ish-Gjykatës Komunale në Rahovec nuk bëjnë bartjen e paligjshmërisë, por marrin aktvendim mbi ndërrimin e ngastrave me ndërmarrjen OBP Mirusha.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë