SHTYHET SEANCA PËR DALLAVERET ME PATENTË SHOFERË, MUNGOJNË DËSHMITARËT

Raporton: Adem KRASNIQI

Prizren – Seanca e paraparë të mbahet të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër Agim Bytyqit, i akuzuar për marrje të ryshfetit dhe shpërdorim të pozitës zyrtare, është shtyrë për shkak të mungesës së dy dëshmitarëve nga Shqipëria, Gazmend Sahiti dhe Ardit Qani. Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Skënder Çoçaj, tha se seanca nuk mund të mbahet duke mos pasur prezent këta dy dëshmitar.

Prokurorja Gashi kërkoi nga trupi gjykues që seanca të shtyhet për një datë tjetër,derisa autoritet nga Shqipëria të kthejnëpërgjigje përfundimtare,se a mund të sigurohet prezenca e këtyre dy dëshmitarve. “Shpresoj që do të marrim përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për ndihmën juridike që e ka kërkuar gjykata, dhe nëse nuk marrim përgjigje do t’a shqyrtojmë mundësinë që edhe pa dëgjimin e dëshmitarëve, të vazhdojmë me procedimin e provave”, tha prokurorja Gashi.

Në vitin 2007, Prokuroria Komunale e asaj kohe, pas transmetimit të ngjarjes së dallavereve me patentë shoferë në emisionin investigativ “Fiks Fare” të  televizionit TOP Channel, kishte ngritur aktakuzë ndaj Agim Bytyqit, për marrje të ryshfetit dhe shpërdorim të pozitës zyrtare. Rasti është gjykuar dy herë më parë, një herë me aktgjykim lirues dhe një herë me  aktgjykim dënues por Gjykata e Apelit në të dyja rastet e ka kthyer lëndën në rivendosje. Trupi gjykues mori aktvendim që seanca e radhës të mbahet më 5 prill 2016, në ora 10:30.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë