Shtyhet seanca pasi mungon pala e paditur, paditësi kundërshton gjobën prej 60 eurosh

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë –Në mungesë palës  së  paditur është shtyrë seanca e paraparë të mbahet të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Administrative.

Lidhur me mungesën e palës së paditur Policisë së Kosovës, gjykatësja e rastit Vjollca Limani konstatoi se gjykata nuk ka dëshmi nga shërbimi postar nëse e njëjta është ftuar me rregull.

Pavarësisht mungesës së palës së paditur, në seancën e sotme ishte i pranishëm M.Sh si palë paditëse.

Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance e njëjta u shty për 6 tetor te këtij viti.

Sipas ankesës së ushtruar, e cila në fakt është trajtuar si padi pasi që ka pasur të gjitha elementet e padisë, paditësi M.Sh ka kundërshtuar vendimin e Komisionit për Vendosje nga Policia e Kosovës ne Prishtinë, në lidhje me fletëparaqitjen për kundërvajtje prej 60 eurosh në trafikun rrugor të datës 19.12.2019, pasi që vendimin e tyre pala e konsideron si të pa drejtë.

Ndërsa sipas vendimit të Komisionit për Vendosje të datës 07.01.2022, është refuzuar kundërshtimi i palës paditëse si i pabazuar  duke shpallur përgjegjës kundërvajtësin M.Sh për dënimin e shqiptuar lidhur me posedimin e xhamave të pasmë të errët. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë