Shtyhet seanca pasi mungon njëri nga dy policët e akuzuar se keqtrajtuan të dëmtuarin në stacion policor

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarit Arsim Shabani u bë shkak që të shtyhet seanca e paraparë për të premten, në rastin ku së bashku me Mirsad Përçukun po akuzohen se në cilësinë e policëve, në vitin 2015, keqtrajtuan të dëmtuarin Nusret Azemi.

Mbrojtësi i Shabanit, avokati Muhamet Mujaj deklaroi se për shkaqe shëndetësore i mbrojturi i tij nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Për këtë, avokati Mujaj gjykatës ia dorëzoi edhe parashtresën në të cilën kishte kërkuar shtyrjen e kësaj seance, raporton “Betimi Për Drejtësi”.

Tutje, ai ka kërkuar nga gjykata që të obligojë prokurorinë që mbrojtjen ta pajisë me të gjitha shkresat e lëndës.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e seancës, gjykatësi Adnan Kamberi mori aktvendim që e njëjta të shtyhet për 29 tetor. Ai e obligoi prokurorinë që në afat prej 3 ditësh të pajisë të gjitha palët me shkresat e lëndës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 janar 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Arsim Shabanit dhe Mirsad Përçukut, të cilët i ngarkon me veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shabani dhe Përçuku më 17 nëntor 2015, në cilësinë e personave zyrtarë të Policisë së Kosovës, derisa kanë qenë duke e shoqëruar në Stacionin Policor Qendra tani të dëmtuarin Nusret Azemi, por edhe pasi kanë hyrë brenda në stacion kanë keqpërdorur detyrat dhe autorizimet e tyre, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin në atë mënyrë që e kanë goditur në kokë dhe trup. Nga goditjet thuhet se i dëmtuari Azemi ka pësuar lëndime dhe i janë shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike.

Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 198, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tre vite. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë