Shtyhet seanca pasi mungojnë të akuzuarit se rrahën të dëmtuarin në tualetin e Fakultetit të Arteve

Author

Raporton: Krenare ZARIQI

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Është shtyrë seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi kanë munguar të akuzuarit se rrahën të dëmtuarin në tualetin e Fakultetit të Arteve, Liridon Ahmeti e Rilind Geci.

Gjykatësja Donika Shala-Avdyli bëri të ditur se mbrojtja e të akuzuarit Geci e ka informuar gjykatën se të akuzuarit nuk do të marrin pjesë në seancë, për shkaqe shëndetësore.

Prezent në sallë të gjykimit nuk ishte as i dëmtuari Guxim Gjocaj, për të cilin gjykatësja tha se nuk ka prova se është ftuar në mënyrë̈ të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e së martës u shty për 25 tetor, për të cilës gjykatësja Shala-Avdyli tha se të gjitha palët do të ftohen me ftesa të rregullta.

Sipas aktakuzës së ngritur në mars të 2013-ës, Liridon Ahmeti po akuzohet se për shkak të raporteve të përkeqësuara që ka pas me të dëmtuarin Guxim Gjocaj, në marrëveshje me të akuzuarin tjetër Rilind Geci e kanë shfytëzuar kohën e pauzës mes ligjëratave, ku i pandehuri Ahmeti e fton të dëmtuarin Gjocaj në tualetin e Fakultetit të Arteve, për ta sqaruar problemin e mëhershëm mes tyre.

Aty thuhet se posa hyjnë brenda në tualet, i akuzuari Ahmeti e sulmon fizikisht të dëmtuarin Gjocaj, e me pas sipas marrëveshjes aty hyn edhe i akuzuari tjetër Geci dhe të dy me dashje i shkaktojnë̈ lëndime të rënda trupore të dëmtuarit, duke e goditur me grushte në fytyrë, në pjesë të ndryshme të trupit si dhe me mjet të fortë mekanik të mprehtë.

Tutje, sipas aktakuzës, duke e goditur të dëmtuarin e mbështesin për xhami të tualetit, me ç’rast nga forca e shkaktuar thyhet dera prej xhami dhe në atë moment hyn kolegu i tyre R.B. i cili tenton t’i ndajë, por ndalohet nga i akuzuari Geci. Pas tij hynë edhe disa studentë të tjerë të cilët arrijnë t’i ndajnë, kurse të akuzuarit largohen me shpejtësi.

Sipas aktit akuzues, me veprimet e tyre të akuzuarit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarit, të cilat në momentin e shkaktimit kanë rrezikuar jetën e tij.

Me këto, Ahmeti e Geci po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 189, paragrafi 2, nën paragrafi 2.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.