Lipjan – Shtyhet seanca e shqyrtimit kryesor në rastin ku paditësit Agim dhe Nashide Osmani po kërkojnë nga e paditura kompania e Sigurimeve “Sigal” kompensimin e dëmit të shkaktuar në aksident komunikacioni, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mungesa e të paditurës KS ”Siguria” ishte shkak për shterjen e kësaj seance, e cila nuk ishte e ftuar për arsye teknike nga ana e gjykatës e propozuar si palë e paditurë nga pala paditëse me të autorizuarin e tij avokatin Blerim Syla.
Avokati Syla, me parashtresë ka kërkuar zgjerimin e padisë edhe ndaj të paditurës KS”Siguria”, ndërsa gjykatësi Avdirrahman Gashi ka thënë se nuk ka vendosur ende për zgjerimin apo mos zgjerimin e padisë.
Pasiqq, siç ka thënë gjykatësi Gashi, në seancën e sotme nuk është prezent askush nga KS “Siguria” në mënyrë që të deklarohen lidhur me propozimin e palës paditëse.
Andaj, në këto rrethana Gjykatësi Gashi, mori aktvendim për shterjen e kësaj seance ndërsa të radhës e caktoi me 19 maj 2021 në ora 13:30.
Ndryshe, sipas padis së ushtruar më 6 shtator 2017, paditësit Agim dhe Nashide Osmani po kërkojnë nga e paditura kompania e sigurimeve “Sigal”, kompensimin e dëmit të shkaktuar në aksident komunikacioni.
Ndërsa, bazën e kërkesëpadisë paditësit po e bazojnë në raportin e policisë, qendrës Emergjente në Prishtinë dhe në dokumentacionin mjekësor.
Sipas padisë, paditësit Agim dhe Nashide Osmani po kërkojnë nga gjykata që të detyrohet e paditura kompania e sigurimeve “Sigal”, që t’i kompensojnë vlerën e përgjithshme 4,900.00 euro./BetimipërDrejtesi