Shtyhet seanca në rastin ku gjykatësi e ka paditur KGJK-në, nga e cila kërkon mbi 11 mijë euro kompensim

Rasti i Ibrahim Shales 14.05.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Maj 14, 2019

Prishtinë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku gjykatësi Ibrahim Shala, e ka paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Këtë padi, ai e kishte ushtruar me pretendimet se KGJK-ja atij ia kishte refuzuar kërkesën për transferim të përhershëm nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas.

Shkak për mos mbajtjen e seancës të së martës, ka qenë mungesa e paditësit Shala.

Sipas gjykatës Arjeta Sadiku, për gjykatësin Shala nuk ka provë se e ka pranuar ftesën për seancë, andaj sipas saj, nuk janë plotësuar kushtet që padia e tij ndaj KGJK-së të shqyrtohej nga gjykata.

Në këtë seancë, morën pjesë përfaqësuesit e KGJK-së, Besim Mustafa dhe Driton Bërnjashi të cilët janë njoftuar se duhet të vijnë për seancën e radhës, e cila është caktuar të mbahet më 28 maj 2019, në orën 10:30.

Gjykatësi Ibrahim Shala, në vitin 2016, kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti Administrativ ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), me të cilin atij i ishte refuzuar kërkesa për transferim të përhershëm nga Gjykata Themelore në Pjesë, dega Klinë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas.

Sipas vendimit të KGJK-së, të 25 majit 2016, gjykatësit Shala i ishte refuzuar ky transferim me arsyetimin se në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, kishte pasur mungesë të gjykatësve, andaj kalimi i tij në një degë tjetër, vetëm se do të vështirësonte punën në Gjykatën e Klinës.

Kurse, sipas padisë, për transferin e përhershëm të Shalës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ishin pajtuar edhe kryetarët e  gjykatave si asaj Themelore në Prishtinë, po ashtu edhe të asaj në Pejë.

Gjykatësi Shala, tani nga KGJK-ja, po kërkon edhe kompensim për nxjerrje të një vendimi të tillë, me të cilin ai pretendon se ishte dëmtuar pasi që kishte udhëtuar nga Drenasi për në Klinë, çdo ditë, nga 1 gushti 2012, deri më 6 korrik 2016, për të ushtruar profesionin e tij si gjyqtar në degën në Klinë.

Sipas padisë, Shala nga kjo periudhë sa kishte udhëtuar në Kinë kishte shpenzuar më shumë se gjashtë mijë euro për rrugë, e po ashtu edhe shujta ditore të punës në shumë prej 5,280 euro, andaj ai po kërkon kompensim nga KGJK-ja, në shumë prej 11,440 euro. /Betimipërdrejtësi