Shtyhet seanca në rastin e paditëses që kërkon kompensim për punët jashtë orarit, gjatë festave dhe të tjera

drenas
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Nëntor 18, 2019

 

Drenas – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, është shtyrë seanca e paraparë për të hënën, ku paditësja Vezire Selmani, po kërkon nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale, përkatësisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Hafir Shala”, në Drenas, kompensim dëmi në emër të punës jashtë orarit, gjatë festave, gjatë kujdestarisë dhe rrezikshmërisë në punë.

Seanca është shtyrë në mungesë të autorizuarit të palës paditëse, avokatit Shefshet Ibrahimi, i cili përmes një parashtrese ka kërkuar shtyrjen e seancës për muajin dhjetor, me arsyetimin se në QKMF në Drenas, më 18 tetor 2019, ka parashtruar kërkesë për marrjen e të dhënave, por nuk ka pranuar asnjë përgjigje lidhur me kërkesën e paditëses.

Avokati Ibrahimi, përmes parashtresës, gjithashtu, ka prezantuar dhe provat si specifikacionin e ditëve të punës gjatë festave dhe kujdestarisë për paditësen Selmani, si dhe kontratën e punës, për të cilat ishte obliguar përmes aktvendimit nga seanca e kaluar.

Përfaqësuesi i autorizuar i të paditurës, Muharrem Kurtaj, nuk e kontestoi propozimin për shtyrjen e seancës, pasi sipas tij, provat e dorëzuara në këtë seancë do t’i vlerësojnë dhe analizojnë për seancën e radhës.

Gjykatësi Daut Behrami, miratoi propozimin e të autorizuarit të paditëses, avokatit Shefshet  Ibrahimi, për shtyrjen e seancës, kurse seanca e radhës është caktuar më 13 dhjetor 2019, në ora 9:30.

Sipas padisë së parashtruar më 5 dhjetor 2018, thuhet se paditësja si punëtore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QMKF), në Drenas, përveç orarit të rregullt, i duhet të mbajë orë jashtë orarit të punës, gjatë kujdestarisë, si dhe të punojë në vend të punës me rrezik të lartë.

Siç pretendohet me padi, e paditura për këtë, nuk i paguan paditëses orët shtesë në muaj, kujdestarinë javoren e as mujore, si dhe rrezikshmërinë në punë, të cilat sipas padisë, janë të garantuara me kontratën mbi marrëdhënien e punës, dhe se një gjë e tillë është kërkuar nga paditësja, por që siç thuhet në padi, QKMF nuk është përgjigjur.

Gjithmonë sipas padisë, paditësja gjatë muajit duhet të punojë jashtë orarit 24 ditë në muaj, por për këtë nuk paguhet, njëjtë ka ndodhur edhe gjatë kujdestarisë, si me rrezikshmërinë në punë, andaj konsideron se ka të drejtë në kompensimin për punët që kryen jashtë orarit të punës. /BetimipërDrejtësi